✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Protesta e studentëve/ Malaj “tallet” me PD-në: Mendoni se do t’ju japin votën?

Debati mes deputetit të Partisë Socialiste, Erjon Malaj, dhe deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, është zhvendosur në Komisionin e Kulturës, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë protestat dhe qëndrimi i opozitës ndaj tyre.

Malaj akuzoi demokratët se po përpiqen të përvetësojnë kauzat e protestuesve, duke pretenduar se qytetarët që kanë dalë në rrugë nuk e shohin Partinë Demokratike si përfaqësuese të tyre. Ai iu drejtua Zhupës duke thënë se protestuesit nuk i lejojnë demokratët as të qëndrojnë në trotuar, e jo më t’u japin votën.

“Protestuesit nuk po ju lejojnë ju të rrini në një trotuar, jo t’ju japin votën. Ka shumë elementë të PD-së që këtë e kanë kuptuar”, u shpreh Malaj. Më tej, ai akuzoi opozitën se po dëmton veten politikisht me qëndrimet e saj, duke përmendur edhe reagimet për ndalimin e protestuesit Agron Jemini.

Nga ana tjetër, Ina Zhupa kundërshtoi këtë qëndrim, duke pranuar se mes protestuesve ka qytetarë që nuk e konsiderojnë PD-në si alternativë politike. Megjithatë, ajo theksoi se, pavarësisht dallimeve politike, pjesëmarrësit në protestë bashkohen nga kundërshtimi ndaj kryeministrit Edi Rama.

“Sot dalin dhe ata që nuk e shohin PD-në si alternativë, por na bashkon një gjë: e keqja e madhe e këtij vendi, Edi Rama”, deklaroi Zhupa.

Debati nisi pasi deputetja demokrate ngriti pretendime lidhur me ndalimin e protestuesit Agron Jemini. Sipas Zhupës, ai ishte marrë nga persona me rroba civile, ishte goditur dhe më pas ishte mbajtur në komisariat në mënyrë të paligjshme. Këto pretendime u bënë pjesë e përplasjes mes dy deputetëve gjatë mbledhjes së komisionit.

Advertisement