Kronike
Reagimi i analistit Endri Tafani për rastin e vajzës që vrau veten
Sot në kuadrin “e zbardhjes të plotë të së vërtetës” qarkullonte në internet foto e viktimes që vrau veten pasi i kishin publikuar foto intime. Nga së shtyhen ata që e bëjnë këtë gjë ka plot shpjegime psikologjike, por që të gjitha tregojnë për një shoqëri të sëmurë që ka humbur busullën e moralit.
Meqë jemi në temën e ruajtjes së privatësisë. Ka dhe një fenomen tjetër të ngjashëm për të cilin flitet pak ose aspak. Publikimi i screenshoteve të bisedave, whatsapp messenger. etj. hyn në të njëjtën kategori imoraliteti.
Nëse dikush të bezdis me çfarë të shkruan apo nis në ato aplikacione, bëji bllok. Nëse dikush të kërcënon, bëji kallëzim penal në polici.
Publikimi i bisedave “për t’ia nxjerrë bojën” është thjesht një “hakmarrje” për ta dëmtuar tjetrin publikisht e ngjashme me publikimin e fotove intime që ashtu si publikimi i screenshoteve ka po të njëjtin qëllim, cenimin e figurës morale të personit në publik. Dikujt mbase mund t’i duket ndryshe, por të dyja sjelljet janë të ngjashme dhe moralisht të dënueshme.
Është e vërtetë që morali në shoqëri ndryshon me kalimin e kohës, por që një shoqëri të funksionojë si një e tërë në harmoni, duhet të ketë disa piketa të përbashkëta.
Është mirë që të niset një diskutim publik mbi këto piketa e t’i vendosim, përndryshe do jemi nën mëshirën e çdo rryme te imponuar apo importuar nga jashtë që do na çojë në çoroditje totale dhe mungesë kohezioni social për të reaguar si një shoqëri.