Politike
Rama nga Parisi: Sot jemi evropianët më të mirë që mund të gjeni
Kryeministri Edi Rama ka folur për historinë politike të Shqipërisë dhe orientimin e saj drejt Bashkimit Evropian, gjatë një diskutimi në Musée de l’Homme në Paris, në kuadër të Forumit të Paqes. Bashkëbisedimi u përqendrua te zgjerimi i BE-së dhe e ardhmja e brezit të ri.
Rama theksoi se Shqipëria ka një histori të ndryshme nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, pasi nuk ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë dhe as e bllokut lindor në të njëjtën mënyrë si shtetet e tjera të rajonit.
Ai kujtoi shkëputjen e Shqipërisë nga blloku lindor në vitet ’60 dhe afrimin e mëvonshëm me Kinën, duke e përshkruar periudhën e izolimit si një përvojë që e veçon vendin nga historia e fqinjëve.
Kryeministri përdori edhe një përshkrim të fortë për ndryshimin e orientimit të Shqipërisë pas rënies së komunizmit, duke e cilësuar vendin si një “Kore të Veriut të Evropës” gjatë izolimit dhe më pas si “talebanë perëndimorë”, për të nënvizuar, sipas tij, përkushtimin e shqiptarëve ndaj Perëndimit.
Rama argumentoi se mbështetja për integrimin evropian në Shqipëri nuk lidhet thjesht me përfitimet ekonomike, por me vlerat e lirisë, paqes dhe bashkëpunimit. Sipas tij, pavarësisht konflikteve të brendshme, polarizimit politik dhe protestave, ekziston një dakordësi e gjerë se Bashkimi Evropian është destinacioni i përbashkët i vendit.
“Për ne BE-ja është çka ishte për etërit themelues, jo një bankomat, por një liri, paqeje dhe bashkëpunimi”, u shpreh Rama, duke shtuar se Shqipëria nuk ka një alternativë tjetër strategjike përveç projektit evropian.