Kronike
Plagosja në Mamurras/ Dalin pamjet nga vendngjarja, arrestohet autori
Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mesditën e sotme në Mamurras. I plagosur ka mbetur 25-vjeçari, Jurgen Ndreca, i cili ka marrë një plumb në shpatull. I riu është dërguar në spitalin e Traumës për të marrë mjekim më të specializuar, ndërsa është jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit. Policia ka vënë në pranga autorin, Endri Baçuku dhe ka sekuestruar armën e zjarrit. Plagosja sipas informacioneve deri tani, ka ndodhur pas një konflikti çasti.
NJOFTIMI I POLICISË:
Plagosi me armë zjarri, një 25-vjeçar, gjatë një konflikti të çastit, mbërritja e menjëhershme e Policisë mundëson arrestimin në flagrancë të autorit. Policia gjen dhe sekuestron armën e zjarrit pistoletë, me të cilën u krye plagosja.
Rreth orës 12:00, sapo janë njoftuar për një plagosje me armë zjarri, në hyrje të Mamurrasit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Kurbin, kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, për të zbardhur rrethanat e rastit dhe për të kapur përgjegjësin/t.
Si rezultat u bë kapja e menjëhershme në flagrancë dhe vënia në pranga e shtetasit E. P., 21 vjeç, banues në Mamurras, i cili dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri pistoletë, shtetasin J. N., 25 vjeç, banues në Mamurras. Arma e zjarrit u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë.
I plagosuri po transportohet në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.