Rajon
Kryespiuni i ushtrisë serbe/ Ja çfarë tha për Kosovën
“Veprimet e organeve kosovare ende paraqesin kërcënimin më të madh të sigurisë për Serbinë dhe serbët e Kosovës” – kështu ka thënë drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake serbe, gjeneralmajori Zoran Stojkoviç, duke shtuar se Agjencia investon shumë kohë dhe energji në mbledhjen e informacioneve për atë që ai e quajti “faktorin gjithnjë e më agresiv shqiptar”.
Stojkoviç gjithashtu ka pretenduar se “edhe pse strukturat e sigurisë së Kosovës nuk paraqesin ndonjë sfidë të madhe për ushtrinë serbe, pajisja e vazhdueshme e tyre me armë moderne dhe trajnimi që bëjnë pjesëtarët e këtyre formacioneve, tregojnë se ky kërcënim do të jetë prezent në periudhën e ardhshme”.
“Duke marrë parasysh praninë e huaj si dhe përshkallëzimin serioz të situatës së sigurisë, që nga dëbimi i popullatës serbe në vitin 2004, ne kemi angazhuar burime të konsiderueshme të inteligjencës në këtë zonë. Çdo ditë është gjithnjë e më e vështirë për popullatën serbe atje, pasi strategjia bazë e Prishtinës po ngre vazhdimisht tensione dhe po krijon kushte për një Kosovë etnikisht të pastër, gjë që Republika e Serbisë nuk do ta lejojë kurrë” – ka thënë kryespiuni i ushtrisë serbe.
Stojkoviç gjithashtu ka pretenduar se nuk ka vend në shërbimin e tij për njerëzit që, sipas fjalëve të tij, “nuk e mbajnë Kosovën dhe Metohinë në zemër dhe që nuk jetojnë për ditën kur trengjyrëshi serb do të valëvitet në të tërë krahinën jugore serbe”.