Politike
U riktheva për t’u përballur me Edi Ramën dhëmbë për dhëmbë e sy për sy
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Rithemelimit, njëherësh dhe nënkryetar i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, është shprehur se vula e PD-së po mbahet peng, ndërsa shton se kjo sagë nuk duhet të vijojë pa fund.
Gjekmarkaj tha se Sali Berisha është kryetari i PD-së dhe se ish-kryeministrit është sot i vetmi politikan në arrest shtëpie pa akuzë dhe pa dënim.
“Në momentet e para mendoj se gjykata ka patur vështirësi dhe është dashur një periudhë qartësie. Kur gjërat u bënë të qarta nuk besoj se kjo sagë duhet të vijojë pafund dhe nuk duhet vetëm paanësi, por dashuri për vendin në mënyrë që opozita të mos mbetet peng pasi ne duhet të përballemi me qeverinë e Edi Ramës. Bonuset e këtij pengu i mban mazhoranca dhe qeveria në një kohë kur gjykata duhet të jepte vendimin prej kohësh. PD duhet të kthehet plotësisht brenda kornizës së saj ligjore dhe t’u përgjigjet qytetarëve dhe mbështetësve.
Unë kam qenë nënkryetar i PD dhe dhashë dorëheqjen për të hapur rrugë që PD të kthehet te bashkimi. E bëra si akt përgjegjësie dhe e pranova sërish pozicionin e nënkryetarit si akt përgjegjësie dhe shans për t’u ri gritur dhe për t’u përballur me Edi Ramën dhëmbë për dhëmbë e sy për sy. Në optikën time aksioni opozitar ka qenë 5 muaj rezistence të paepur dhe dinjitoze, e shëndetshme për demokracinë.
Kjo është e mira e kësaj proteste, ndërkombëtarët njohën opozitën e vërtetë dhe përpjekjen tonë për rikthimin e rregullit në Parlament. Mjafton që të ndizni televizorin për të parë kush është opozita e vërtetë. Janë numrat ato që vendosin dhe që kanë caktuar qartë kush është opozita shqiptare.