Aktualitet
EMRI/ Koka e mafias shqiptare në Ekuador nën hetim edhe për pastrim të 31 mln dollarëve
Një gjykatës kundër korrupsionit në Ekuador ka vendosur hetimin e Dritan Gjikës dhe 4 personave të tjerë për një rast të pastrimit të 31 milionë dollarëve. Dritan Gjika është emër i njohur në Ekuador dhe njihet si drejtues i mafias shqiptare që vepron në vend. Së bashku me Gjikën, do të hetohen edhe: Mario S.; Carina E.; Carlos G.; dhe Pablo H. Shtatë kompani apo persona juridikë janë gjithashtu në proces hetimi. Gjyqtari ka urdhëruar ndaj tyre ndalim parandalues, sekuestrim të pasurisë dhe bllokimin e llogarive.
Më 7 shkurt, Policia Kombëtare, së bashku me Prokurorinë, arrestuan Julio L., Jonnathan L., Bryan L., Javier C. dhe Teresa P. si rezultat i operacionit të koduar “Pampa”, i cili u zhvillua në disa qytete të Ekuadorit, shkruajnë mediat ekuadoriane.
Sipas Prokurorisë, përmes informacioneve konfidenciale u mësua se në Guayas, ndodhej një kompani transporti e dedikuar për transferimin e parave dhe substancave të paligjshme përmes kamionëve. Përveç se në Guayas, në Los Ríos, Cotopaxi dhe Santa Elena, vepronte një organizatë kriminale e dedikuar për pastrimin e parave të trafikut të drogës, e drejtuar nga Dritan Gjika dhe qytetarë të tjerë.
Për këtë u krijuan disa kompani të dedikuara për eksportin e produkteve bujqësore (kryesisht banane), blerjen dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, prodhimin e mishit dhe kanabisit. Këta shtetas kanë përfituar pasuri të ndryshme si automjete luksoze dhe pasuri të paluajtshme si toka, shtëpi, zyra, magazina dhe parkingje në katër provinca të vendit, sipas hetimit tatimor.