Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë ndaj 3 të dyshuarve për sulmin terrorist më 24 shtator 2023 në Banjskë të Komunës së Zveçanit, Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, raporton Anadolu.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi tha për Anadolu se vazhdimi i paraburgimit për 3 të dyshuarit e rastit Banjska erdhi pas kërkesës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T., B.S dhe D.M., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 muaj”, tha Gashi.
Që të tre të dyshuarit të cilët gjenden në paraburgim që nga shtatori i vitit të kaluar janë të ngarkuar për veprat penale “Vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Kryerjen e veprave terroriste”
Mbështetur në kërkesën fillestare të Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, ata dyshohen se bashkë me një grup personash, në mënyrë të organizuar dhe të armatosur e me dhjetëra vetura të mbushura me armatim, municion dhe veshje ushtarake, hynë ilegalisht në Kosovë.
Më 24 shtator 2023 ata e bllokuan rrugën në Banjskë me dy kamionë, me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, e pastaj i sulmuan ata me granata dhe me armë, ku në urën afër Manastirit të Banjskës mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa u plagos zyrtari policor, Alban Rashiti.
Për sulmin e 24 shtatorit ish-politikani serb nga Kosova, Milan Radoiçiq mori përsipër organizimin e grupit terrorist, ndërsa më vonë Policia e Kosovës përpos mjeteve dhe armëve të konfiskuara nga ky grup, konfiskoi edhe një pjesë të pasurisë së Radoiçiqit në Kosovë.