Connect with us

Bota

Themeluesi i Binance dënohet me katër muaj burg në SHBA

Një gjykatë në Seattle të SHBA-ve ka dënuar me katër muaj burg Changpeng Zhao, themeluesin e Binance, këmbimores më të madhe në botë të kriptovalutave.

Zhao u dënua me 4 muaj burg për shkelje të ligjeve amerikane kundër pastrimit të parave, shkruajnë mediat ndërkombëtare.

Prokurorët kërkuan nga ana e tyre 3 vite burg, duke argumentuar se sjellja e Zhao-së kishte pasur shumë pasoja. Avokatët e Zhaos thanë se ai nuk meritonte burgosjen, pasi asnjë i pandehur në një çështje të ngjashme nuk është dënuar me burgim.

Zhao u deklarua fajtor dhe u largua në muajin nëntor nga Binance si pjesë e një marrëveshjeje me Departamentin amerikan të Drejtësisë. Për më tepër, Binance ra dakord të paguante një gjobë prej 4.3 miliardë dollarësh.

 

 

Si pjesë e marrëveshjes, Zhao ka hequr dorë nga e drejta për të apeluar çdo dënim deri në 18 muaj burg. Ai gjithashtu pranoi të paguante një gjobë prej 50 milionë dollarësh, ndërsa vlerësohet se zotëron një pasuri prej 33 miliardë dollarësh.

Sipas ligjvënësve të SHBA, Binance me vetëdije iu shmang rregulloreve kundër pastrimit të parave. Kështu, klientët nga vende si Irani, Kuba, Siria ishin në gjendje të bënin transaksione në kundërshtim me sanksionet amerikane.

Advertisement