Politike
Bogdani sulmon Bashën: Ka dalë me slogan të kopjuar, tregon që s’ka personalitet
Ish-deputeti demokrat Gerti Bogdani ka reaguar lidhur me sloganin e përzgjedhur nga Lulzim Basha sot në takimin me ekspertët e tij ku prezantoi dhe programin politik.
“Shqipëria meriton më shumë” i Bashës, sipas Bogdanit është një slogan i kopjuar dhe si i tillë është dëshmi e mungesës së integritetit në politikë.
REAGIMI I PLOTË I BOGDANIT
Që Shqipëria meriton më shumë është e qartë dhe e dimë të gjithë! Që në radhë të parë meriton më shumë integritet, është e qartë, pavarësisht se nuk e dinë të gjithë!
Mungesa e integriteti në politikë mund të duket edhe që në momentin kur zgjedh një sllogan. Për ata që dinë të bëjnë politikë, një nga rregullat bazë, është që për çdo fushatë të përdoren slogane unike. Jo kopje.
Kush detyrohet të kopjojë, tregon që nuk ka personalitet politik mjaftueshëm dhe aq më pak ide dhe vizion për të sjellë ndryshim!
Që Shqipëria meriton më shumë e dimë të gjithë, por meriton shumë më tepër se sa një slogan të kopjuar! Meriton më shumë se sa politikanë që mes kopjeve mundohen të riciklojnë fjalë e premtime për atë realitet që vetë e kanë shkatërruar dhe kthyer në plehrë!
Për më tepër, sot në 1 Qershor, ata që meritojnë shumë më shumë janë fëmijët! Ndaj politika e politikanët sot duhet t’i kishin dhënë mundësinë atyre!
Sepse të paktën 1 ditë të vetme në vit që kanë festë, vëmendja duhet të ishte tek ato që kemi bërë apo s’kemi bërë për ata, dhe jo sërish tek politika që nuk lë mundësi pa marrë skenën – me modele të ricikluara, thjesht të ngjyrosura ndryshe!
Për ta përmbyllur, po ndaj me ju një pjesë nga fjalimi në Kuvendin Kombëtar të PD-së, 3 vite më parë, 17 Korrik 2021, kur PD ishte e ndarë, por ende pa u bërë copa-copa fare…
“Sot, më shumë se kurrë, duhet të jemi më të bashkuar e më të fortë, jo thjesht për ngjyrat bardh e blu të Partise Demokratike, jo thjesht për ngjyrat bardh e blu të Tiranës, por mbi të gjitha për ngjyrat Kuq e Zi të flamurit kombëtar dhe të Shqiptarisë! Sepse Shqipëria dhe shqiptarët, meritojnë më shumë!”/m.j