Kronike
Vrasja e Selami Hasani/ Ky është i vëllai që u plagos rëndë nga vrasësit
Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne në Fier, ku një 60-vjeçar është vrarë me armë zjarri, ndërsa vëllai i tij ka mbetur i plagosur rëndë.
Viktima është identifikuar si Selami Hasani, i njohur edhe me nofkën “Sel Çami”, ndërsa i plagosuri është vëllai i tij, Jakup Hasani.
Atentati ndodhi rreth orës 09:40, në oborrin e banesës së viktimës, në lagjen “1 Maji”, në zonën e njohur si Kodër. Sipas të dhënave paraprake, autorët kanë hyrë në oborrin e banesës dhe kanë qëlluar me armë zjarri ndaj dy vëllezërve, për t’u larguar menjëherë pas sulmit.
Jakup Hasani mori plagë të rënda dhe u transportua me urgjencë në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Një tjetër element që po hetohet nga grupi hetimor është fakti se Selami Hasani kishte dalë nga burgu vetëm një javë para se të ekzekutohej. Mes pistave të hetimit është edhe ajo e një konflikti apo hasmërie të vjetër, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar për motivin e krimit.
Ndërkohë, në fshatin Ndërmenas është gjetur një automjet në flakë, që dyshohet se është përdorur nga autorët e sulmit. Raportohet gjithashtu për një automjet të dytë të djegur pranë rrethrrotullimit të Pojanit.
Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.