Kosova
Mblodhi 190 mijë euro në ‘GoFundMe’, i riu u shtirur si i sëmurë me leukemi dhe mashtroi shqiptarët
Një rast i dyshuar mashtrimi ka tronditur qytetin e Gjilanit në Kosovë, ku një i ri është arrestuar pasi dyshohet se ka përfituar afro 190 mijë euro nga donacionet e qytetarëve, duke pretenduar se vuante nga leukemia akute.
I arrestuari është Endrit Azemi, i cili dyshohet se kishte sajuar historinë e sëmundjes për të kërkuar ndihmë financiare për kurimin e tij. Përmes një fushate në platformën GoFundMe dhe kontributeve të mbledhura edhe në sheshin e Gjilanit, qytetarët kanë dhuruar gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 cent.
Në mbledhjen e parave ishin përfshirë edhe familjarët e tij. Motra e të riut, Kosovare Azemi, kishte bërë thirrje publike për ndihmë, duke u kërkuar qytetarëve të kontribuonin sipas mundësive.
Por hetimet e Prokurorisë Themelore në Gjilan kanë ngritur dyshime se historia e sëmundjes ishte e sajuar dhe se Azemi nuk vuante nga leukemia akute, për të cilën kërkonte donacione. Sipas Prokurorisë, skema dyshohet se ishte nisur më 9 nëntor 2026, me qëllim përfitimin e paligjshëm financiar.
Pas nisjes së hetimeve, Policia dhe Prokuroria kanë bllokuar paratë në llogaritë bankare të identifikuara në lidhje me rastin.
Azemi është ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria pritet t’i kërkojë Gjykatës Themelore në Gjilan caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale të mashtrimit.
Ndërkohë, situata është tensionuar edhe pranë banesës së tij, ku një grup qytetarësh kanë shkuar për të kërkuar kthimin e parave që kishin dhuruar.