Connect with us

Aktualitet

U shtir si mbesa e Ramës, kush është Klea, ‘fantazma’ që futi në grackë qindra gjimnazistë

Klea Rama, një “hije” që askush nuk e di kush është dhe nga vjen, ngriti në “këmbë” një skemë mashtrimi që alarmoi edhe Ambasadën Amerikane në Shqipëri. ZËRI është kontaktuar nga ata që kanë rënë pre e skemës së mashtrimit, duke zbërthyer kështu të gjithë mënyrën sesi i janë afruar, zhvilluar bisedimet me ta…vetëm diçka ka mbetur ende e paqartë, fundi!

Por le të nisim me radhë shpjegimin!

Projekti ka nisur që vjet me konkursin për projektin më të mirë në lidhje me inovacionin, e më pas kur rinisi për herë të dytë mori formën e konkursit për bursa dhe u njoftua se do të bëheshin edhe provime. Fituesit do të kishin shpërblim. Paralelisht, në shkurt të këtij viti krijohet edhe një faqe në ueb, projekti “Let’s Talk Together About US” duke pretenduar se janë të mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

Qëllimi? Pretendohej se kishte për qëllim informimin dhe mbështetjen e maturantëve për jetesën, kulturën dhe universitetet amerikane.

Pjesëmarrësit në projekt do të duhet të dorëzonin projektet e tyre në fushën e inovacionit, e nëse do të shpalleshin fitues do të fitonin nga një udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në bursë studimi. Ëndërr e bukur apo jo? Sidoqoftë për një maturant të një vendi si Shqipëria, ëndrra amerikane është gjithmonë e bukur dhe tërheqëse.

Për implementimin e kësaj skeme malinje në të gjitha gjimnazet e vendit, deri më tani organet shqiptare të hetimit akuzojnë drejtoreshën e DAR-it, Valentina Lamaj, e cila po hetohet për rolin e saj në këtë skemë. Ndërkohë që kalvarin e gjatë të përballjes me drejtësinë e ndjek drejtoresha e shkollës “Qemal Stafa”, Klotilda Jaupi, një tjetër emër, një personazh atipik është zbuluar nga ZËRI si truri i skemës. Ajo është Klea Rama.

“Mbesa e Ramës”

Klea Rama, kështu të paktën pretendonte se e kishte emrin, prezantohej si mbesa e kryeministrit Edi Rama. Personazhin që kishte krijuar në kokën e saj e kishte të mirëmenduar dhe e dinte çfarë të thoshte për të mos u kapur kurrë. Pretendonte se ishte e “angazhuar” në zyrën e Jashtme të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe njëkohësisht studionte për mjekësi po në Shtetet e Bashkaura të Amerikës. Jo vetëm kaq! Në një llogari të krijuar në Instagram, Klea Rama postonte vazhdimisht me “xhaxhanë” e saj, kryeministrin Edi Rama.

U shtir si mbesa e Ramës, kush është Klea, ‘fantazma’

Postimi i Ramës dhe postimi i Kleas

Në fakt, ripostonte fotot që kryeministri i hidhte vetë në rrjetet e tij sociale, por përshkrimin e imazheve e bënte vete duke u kujdesur që të tregohej sa më e afërt dhe e dashur me të…tek e fundit e kishte xhaxha. Kishte një histori për të “shitur” dhe ia doli! Askush nuk e dyshoi kurrë!

U shtir si mbesa e Ramës, kush është Klea, ‘fantazma’

Postimet “fake” të Kleas

“Kur Rama ishte në mitingun që u zhvilluar me shqiptarët në Greqi, Klea publikon një bisedë me Linda Ramës që i thoshte: Klea, xhaxhi thotë se paska më shumë njerëz sesa “mitingu/mbledhjet” në Tiranë,”-këtë “bisedë” (sigurisht të stisur) e ka rrëfyer për ZËRI-n një nga viktimat e mashtrimit të Kleas.

Skemë thuajse perfekte! Veçse nuk kishte llogaritur një detaj të vogël; kuriozitetin e një adoleshente/adoleshenteje (nuk do ta identifikojmë me gjini për të ruajtur anonimatin e denoncuesit në fjalë). Ashtu siç rrëfeu për ZËRI-n, i njëjti person në fjalë donte të dinte nëse në të vërtetë kishte të bënte me mbesën e kryeministrit, kështu vendosi që të bënte vetë disa kërkime që i zbuluan të vërtetën para syve. Në bazë të informacioneve që janë në rrjet, në familjen Rama nuk ka asnjë person me emrin Klea, me të njëjtin inicial po. ZËRI mund ta konfirmojë se po, Rama ka një mbesë që jeton në SHBA, atje ku deri pak vitesh ka jetuar i vëllai, që po ashtu i nis emri me “K”, por nuk është Klea. Pra Klea Rama, duke vjedhur “identitetin” dixhital të mbesës së Kryeministrit arriti të hyjë nën hundën e Ministrisë së Arsimit, dhe të mashtrojë qindra gjimnazistë në shkollat e vendit.

Megjithatë për detajet e tjera ishte kujdesur fare mirë! Ky person, ishte në grupin e Whatsapp me numër amerikan dhe kishte foto profili një vajzë, fotot e së cilës janë marrë nga interneti, por që sigurisht që ngjason me mbesën e Ramës dhe nisi aksionin…

Një prej të mashtruarve ka treguar për ZËRI-n të gjithë skemën e mashtrimit që nga prezantimi i idesë në shkolla, deri në momentin e fundit të bashkëpunimit me të ashtuquajturin “projekt amerikan”.

*Rrëfimi i denoncuesit:

“Për herë të parë na është dërguar si të gjitha projektet e tjera. Është bërë në dy forma, për projektet inovative në fazën e parë, nuk fituam asgjë herën e parë. Mbaroi si gjë. Për herë të dytë vjen në 18 mars, kjo është forma e dytë për të cilën kemi rënë pre. U bë shorti live, konkursi u bë shumë korrekt. Fituesit dolën me një listë përfundimtare. Gjatë kësaj kohe, na patën kërkuar dhe një video për të thënë që projekti po ecën mirë. Pasi u shpallën fituesit po na kërkonin dokumente; një foto, fotokopje të kartës së ID dhe një vërtetim banke që keni mbi 600 euro në bankë. Tek formulari i aplikimit kërkohej edhe rroga mujore e prindërve. Ne nuk e kemi takuar kurrë Klean. Kontakti ynë ka qenë me Klean në Whatsapp, Valentina Lamajn dhe Fatbardha Beqirin. Para se të mbyllej projekti vijnë disa përfaqësues të këtij projekti dhe na treguan universitetet ku mund të aplikonim në SHBA. Ndërkohë na dhanë edhe një certifikatë sepse kishim kaluar të gjithë provimet me rezultate të mira. Deri më sot nuk e dimë se cili është fundi i kësaj skeme mashtrimi. Mësuesit që janë zgjedhur koordinatore nëpër shkolla për të na ndihmuar në projekt, jo vetëm që janë shqetësuar po aq sa në por edhe para zbulimit të skemës, ata nuk nuk kanë marrë asnjë bonus për punën jashtë orarit,”-tregon ai jashtë kamerave për ZËRI-n.

Deri në këtë pikë, askush nuk kishte dyshuar asgjë. Por lajmërimi rrufe nga Ambasada Amerikane, Policia e Shtetit dhe Prokuroria ndryshuan gjithçka! Edhe “Klea” vetë u shqetësua dhe këtë e tregojnë më së miri mesazhet që ajo shkëmbeu me gjimnazitët. Madje, i shtyu këta të fundit, duke i dhënë numrin e prokurorit të çështjes që të kontaktojnë me të dhe të dëshmojnë në favor të saj!

“Merreni dhe shkruajini që Klea s’ka ka kërkuar kurrë asnjë të mirë materiale në këmbim të vizës amerikane,”-shkruan ajo.

BISEDA E PLOTË NË GRUP:

U shtir si mbesa e Ramës, kush është Klea, ‘fantazma’

U shtir si mbesa e Ramës, kush është Klea, ‘fantazma’

U shtir si mbesa e Ramës, kush është Klea, ‘fantazma’

Klea Rama: Sapo e dërguam çështjen në prokurori.

A: Keni diçka zyrtare që mund të na dërgohet ne nxënësve që është vërtetë një projekt legjitim sepse dhe ne jemi të shqetësuar tani. Ju lutem na mirëkuptoni

Klea Rama: Be happy and smile! Don’t worry! (Rrini të lumtur dhe buzëqeshni, mos u shqetësoni!)

A: Kjo është shumë serioze, përderisa është bërë mediatike…Po vihet në dyshim vërtetësia e projektit dhe jemi nxënës të shqetësuar pasi nuk kemi informacion.

Klea Rama: Julian Malaj është prokurori, ku lutem të gjithë ti shkruani dhe që asnjë nga organizatorët nuk na ka kërkuar të dhëna materiale, lekë apo çdo gjë tjetër si kjo në këmbim të vizës amerikane apo çdo gjë tjetër. Projekti ka pasur synim informimin dhe më pas mbështetjen me bursa në rast se ne i fitojmë në universitetet përkatëse. Po nga universitetet. Pastaj, në rast se ju kanë kërkuar, shprehuni ta di edhe unë se unë nuk kam kërkuar gjë.
B: Unë nuk dua të jem më pjesë e këtij projekti! Faleminderit!

Por tashmë dyshimi ishte mbjellë në mendjet e tyre. Askush nuk e besoi më personazhin që kurrë nuk e kishin takuar në jetën e tyre, ndaj edhe zgjodhën ZËRI-n për të bërë denoncimin e tyre. Këtë fakt, ky personazh mistik duket se e ka mësuar pasi informohet në media dhe krejt papritur nga një person që të krijonte bindjen që nuk kishte asnjë problem me ligjin, ndryshon qasje.

“Për të gjithë ata që kanë shpërndarë lajme do të nis një kallëzim penal. Nuk duhet të publikonit numrin personal dhe foto. Ai që e ka bërë, është mirë që ta tërheqë mbrapsht sepse është vepër penale,”-u shkruan ajo.

Por edhe pse Klea kishte vjedhur fotot e Gracie Abrams, kërkonte që imazhi i vjedhur mos të denoncohet më tej në media. Çudira shqiptare apo jo?

ZËRI tentoi që të kontaktonte me numrin e telefonit të vënë në dispozicion nga Klea Rama. Por deri në publikimin e këtij materiali, telefonatave nuk u është përgjigjur kurrë! A ekziston vërtetë Klea, apo është një personazh i shpikur nga organizatorët realë të skemës për të faturuar “përgjegjësinë” në një numër të huaj Whatsappi këtë nuk dimë ta themi. Ajo që nxënësit pohojnë është fakti se Klea Ramën nuk e kanë takuar kurrë, ndërsa nga verifikimet tona rezulton se të gjitha prezantimet janë bërë pa praninë e saj, por mësueset koordinatore kanë lexuar disa letra të dërguara prej saj për nxënësit.

“Ministria e Arsimit, han pa porta”

Praktikat e bashkëpunimit të shkollave, qoftë gjimnaze dhe universitete me ambasadat e huaja në Shqipëri nuk janë të panjohura. Madje në të shumtën e rasteve janë mundësia më e mirë për studentët e talentuar që të shprehin potencialin që kanë, i cili në shumë raste është i madh për Shqipërinë tonë të vogël. Ndaj dhe kjo skemë nuk është parë si një “scam/mashtrim” nga studentët, aq më tepër kur deri në momentin kur u zbulua nuk u ishin kërkuar më shumë para.

Pastaj pse duhet që ta dyshonin, kishin si garant Ministrinë e Arsimit!

Prova e vërtetë është videoja e mëposhtme!

VIDEOJA E LET’S TALK TOGETHER ABOUT US 2024:

Nina Guga, zv.ministre e Arsimit dhe Sportit i dërgon një përshëndetje të përzemërt Kleas që sapo kishte ndërmarrë këtë projekt të ri.

“Përshëndetje të dashur nxënës, të dashur mësues dhe koordinatorë të projektit, e dashur Klea përzemërsisht të uroj gëzuar festat. Qoftë një vit i mbushur me suksese dhe realizime!,”-thotë zonja Guga duke na provuar se Ministria e Arsimit ka qenë në dijeni të këtij projekti.
Pikërisht ky fakt është edhe më i rëndi. Fatmirësisht deri më tani nuk kemi asnjë provë se përse ka ndodhur mashtrimi, cili ka qenë përfitimi i Kleas dhe i mikeshave të saj, por si e kanë marrë “ok” nga Ministria e Arsimit, kjo është çështja?

Vërtetë kanë besuar është e afërmja e kryeministrit dhe i kanë dhënë liri për të vepruar në të gjithë gjimnazet e vendit? A kanë pasur komunikim me Ambasadën Amerikane për të qenë të sigurtë që ky projekt kishte mbështetjen e tyre? A u verifikua ndonjëherë dokumentacioni i organizatës, apo më keq akoma, nuk ka patur as organizatë? ZËRI ia dërgoi këto pyetje MASR, por edhe pse ka kaluar një javë që nga denoncimi i projektit, ka vetëm heshtje.

Në këtë rast, fundi i kësaj historie fatmirësisht ka përfunduar pa dëme, por dyshimi në kokën e çdo nxënësi se përse iu vodhën të dhënat personale është një gjurmë që nuk ikën lehtë./ZËRI

Advertisement