Politike
Vula i kaloi Berishës, Alibeaj zyrtarizon largimin nga grupi parlamentar i PD-së
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit që i dha vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës, Enkelejd Alibeaj ka zyrtarizuar largimin nga grupi parlamentar i PD-së.
Postimi i plotë i Alibeajt
Vendimi i Gjykatës së Apelit ishte një peshë e madhe për demokratët dhe betejën brenda PD. Mbi të gjithë për mua, si nënshkruesi i ankimit kundër vendimit të Zhukrit. Kam patur bindjen atëherë, e kam ende dhe sot, se ishte rruga e vetme, institucionale dhe bazuar në argumente juridike për të refuzuar paligjshmërinë e vendimit gjyqësor. Sepse edhe në organizimin partiak vullneti duhet formësuar dhe shfaqur sipas rregullave statutore dhe jo me kaos e dhunë.
PD, të paktën në sytë e mi, për këto 3 vjet, nuk ka qenë një “casus” juridik, por vullnet i lirë politik i njerëzve që besonin tek vlerat e saj. 3 vitet e fundit treguan qartë se ky vullnet u fokusua tek betejat e brendshme, kryesisht tek beteja me berishizmin brenda PD, si mendësi dhe ideologji, ku u fokusua energjia e shumicës së demokratëve. Nuk e fsheh, se pertej aktit juridik të ankimit, synimi dhe përpjekja ime ishte për të bërë të mundur që PD të dominohej nga një model dhe mendësi e re, ndryshe, e aftë të shndërronte PD në forcën kryesore për të sfiduar modelin e Ramës. Duke iu kthyer ideologjisë dhe vlerave themelore të saj. Për t’u përqafuar si shpresë nga shumica dërrmuese e shqiptarëve. Në mungesë të transformimit të brendshëm, spontan e të natyrshëm, rruga gjyqësore erdhi dhe mbeti thjesht një instrument i pakërkuar nga unë, por i detyrueshëm për tu ndjekur. Tashmë vendimi i gjykatës e vulosi pa më dhënë të drejtë.
Arsyet përse ndodhi kështu, janë të dukshme dhe të padukshme. Por nuk mund të fshihen interesat ekonomike që mbajnë në këmbë aleancën e vjetër Berisha-Rama. Sikundër dhe komoditeti i të qënurit dy pjesë të vjetra dhe të konsumuara të politikës që nuk mund të mbijetojnë pa njëra-tjetrën. Jo rastësisht kjo rrymë pati mbështetjen e qeverisë dhe të një pjese të mirë të medias.
Vendimi i Gjykatës së Apelit disa ditë më parë pra, shenjoi dhe status quo-n e kësaj partie. Parti që zyrtarisht i përket Sali Berishës dhe mënyrës së tij të drejtimit dhe të bërit politikë. Personalisht jam ndarë me këtë mënyrë shumë vite më parë dhe në çdo kohë jam përpjekur të dëshmoj se i përkas një soji tjetër politik.
Nuk besoj tek premtimi i Sali Berishës se PD-ja e tij do të ketë demokraci të brendshme dhe respekt për mendimin ndryshe. Mbi të gjitha nuk gjykoj që ajo mund të jetë oferta politike që meritojnë shqiptarët. Si formë dhe mënyrë e të bërit politikë është model i dalë jashtë funksionit të betejës me Ramën. Dy modele të ngjashme, e simbiotike, nuk mund të përballen duke sjellë rezultate ndryshe nga ai që kemi.
Mbetem tek e verteta dhe tek bindja ime se kjo mendësi e kulture politike duhet larguar nga PD dhe politika. Berishizmi i Ramës është prova më e qartë në sytë e shqiptarëve se cfarë zymtësie dhe dëshpërimi ka krijuar për ta. Sido që të jetë e vërteta e numrave, ajo që vlen është e vërteta e asaj që beson se do sjellë më të mirën për vendin dhe qytetarët.
Unë jam demokrat sepse besoj te vlerat për të cilat dikur lindi si PD. Ama nëse për të qenë “demokrat” kushti është të jesh “berishist” dhe me Sali Berishën, nuk jam i tillë. E duke pretenduar të mos jem pjesë e modelit të vjetër në politikë, duke u perpjekur të jem koherent me qëndrimet e deritanishme deklaroj se nuk i bashkohem grupit parlamentar të PD të drejtuar nga Sali Berisha. Kjo është zgjedhja ime në shenjë respekti ndaj vendimit të gjykatës, qëndrimit tim të deritanishëm, atyre që e mendojnë ndryshe nga unë, dhe ndjesisë së trishtë se një PD e tillë, kështu as nuk i shërben shqiptarëve që duan ndryshimin e as ata të japin dot besimin.