Bota
Stoltenberg njofton për blerjen e raketave të reja për NATO-n
NATO ka porositur raketa kundërajrore të llojit Stinger në vlerë prej pothuajse 700 milionë dollarësh në emër të disa shteteve anëtare, tha sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.
“Sot, NSPA-ja [Agjencia për prokurim e NATO-s] ka nënshkruar një kontratë të re shumëkombëshe për raketat Stinger, në vlerë prej pothuajse 700 milionë dollarësh”, tha ai gjatë takimit të udhëheqësve të industrisë së mbrojtjes në margjinat e samitit të NATO-s në Uashington.
Kontrata e fundit për këto loje raketash, që prodhohen nga RTX’s Raytheon, ishte nënshkruar në maj të vitit 2022, kur ushtria amerikane bleu raketa në vlerë prej 625 milionë dollarësh për të mbushur stoqet, pasi dërgoi armë në Ukrainë.
Këto lloje raketash, që vendosen në krah, kërkohen shumë në Ukrainë, pasi armë të tilla kanë qenë të suksesshme në ndalimin e sulmeve ajrore të Rusisë, shtet që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 2022.
Udhëheqësit e aleancës ushtarake të Perëndimit mblidhen sot në Uashington.
Samiti vjetor i NATO-s, që do të zgjasë deri më 11 korrik, përkon me 75-vjetorin e themelimit të saj dhe zhvillohet derisa lufta në Ukrainë vazhdon.
Agjenda e samitit treditor pjesërisht është lënë nën hije nga shqetësimet lidhur me moshën dhe aftësinë e presidentit amerikan, Joe Biden, që të udhëheqë me shtetin, pasi shanset e tij për fitore në zgjedhjet presidenciale të nëntorit u dëmtuan nga paraqitja e tij në debatin e parë presidencial kundër Donald Trumpit muajin e kaluar.
Ukraina do të jetë lartë në agjendën e samitit, por Kievi nuk pritet që të marrë ftesë zyrtare për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po merr pjesë në këtë samit dhe sapo arriti në Uashington, ai tha se do t’i kërkojë NATO-s zotime shtesë, përfshirë avionë shtesë, por edhe garanci të sigurisë.
Pavarësisht se NATO tha se Ukraina do të jetë në krye të agjendës së samitit, Kievi nuk pritet që të marrë ftesë zyrtare për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s.