Kronike
Fund i arratisë/ Përfundon në pranga autori i atentatit në Don Bosko, tentoi të vriste dhe fqinjin
Ka rënë në pranga sot 33-vjeçari Andrea Brengasi, i shpallur në kërkim nga policia për tentativë vrasje.
Ai u kap në hyrje të një pallati dhe gjatë kontrollit në çantën e tij, policia gjeti 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që posedohej pa leje.
Andrea Brengasi është autori i ngjarjes së Don Boskut më 14 dhjetor 2023, ku tentoi të vriste fqinjin duke qëlluar me armë zjarri drejt automjetit të tij.
Asokohet autori kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu, pasi ka vuajtur dënimin me grabitje me armë.
Policia vendosi 5000 euro shpërblim , për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit, i cili ra sot në pranga.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që lëvizte i armatosur në qytetin e Durrësit, Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, finalizoi operacionin policor të koduar “Precedenti”.
Gjatë këtij operacioni, në hyrje të një pallati në lagjen nr. 11, u arrestua në flagrancë Andrea Bregasi. 33 vjeç, banues në Tiranë.
Nga kontrolli në çantën e 33-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që posedohej pa leje.
Në vijim, pas verifikimeve rezultoi se shtetasi ishte në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Policia kishte vënë në dispozicion 5 mijë euro për informacione rreth tij.