Kosova
Premtimi amerikan: Radoijçiç do përballet me ligjin
Ndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka deklaruar se Serbia ka premtuar se kryekrimineli, Milan Radojiçiç, do të përballet me ligjin lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar.
Top-diplomati amerikan shtoi gjithashtu se është gjë e mirë që kryekrimineli Radoijçiç, “duket se nuk është aktiv në Veri të Kosovës, siç ka qenë më herët”, dhe shtoi se nga kjo gjë “ka përfitime pozitive”.
Persa i përket Kosovës, por edhe Bosnje e Hercegovinës, si dy vende ku kohëve të fundit ka pasur rritje të tensioneve, ai potencoi se në të dy shtetet përkatëse duhet të përjashtohet cfarëdo mundësie e përdorimit të dhunës për zgjidhjen e problemeve.
Kujtojme se përgjegjësinë për sulmin terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri i Kosovës, Afrim Bunjaku, e ka marrë Milan Radojiçiç, njeri i besuar i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Vendet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin, si edhe kanë kërkuar që organizatorët të mbahen përgjegjës.
Radojiçiç, për këtë rast, ishte arrestuar nga autoritetet serbe, për t’u liruar vetëm një ditë më pas.
Nga ana tjetër, Kosova vazhdimisht ka kërkuar ekstradimin e tij dhe të tjerëve, por Serbia ka refuzuar që ta bëj një gjë të tillë.
Në fakt, shteti serb nuk është distancuar fare nga sulmi i 24 shtatorit, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare për terroristët e vrarë në Banjskë të Zveçanit.