Kosova
Ma bëre, ta bëra/ Gjermania porosi Kosovës dhe Serbisë: Stop pengesave të reja në rrugën drejt normalizimit
Shefi i Kulturës, Shtypit dhe Komunikimit në ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, Christian Bottcher, ka thënë se duhet të ndalojë politika “ma bëre, ta bëra” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, derisa ka komentuar rreth deklaratave të zyrtarëve serbë që akoma e vënë në dyshim vlefshmërinë e Marrëveshjes Bazë mes të dyja vendeve.
“Është koha e fundit për një politikë ‘hap pas hapi’ që shikon nga e ardhmja dhe jo një politikë ‘ma bëre, po ta bëj’ që vendos pengesa të reja në rrugën e të dyja palëve, duke shpërfillur vullnetin e popullit për t’iu afruar Bashkimit Evropian (BE)”, ka thënë Bottcher, derisa ka kujtuar se e ashtuquajtura marrëveshje franko-gjermane është pranuar nga liderët e dyja palëve.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në fillim të vitit 2023, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ata nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.
Bottcher ka nënvizuar se “marrëveshja dhe aneksi i saj janë të detyrueshme ndërkombëtarisht për të dyja palët dhe janë përfshira në kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimit të Serbisë [në BE]”. Gjithashtu, ai ka shtuar se Gjermania vazhdon të presë që të dyja palët të ndërmarrin hapat e nevojshëm drejt zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.
Këtë koment në ambasadën gjermane në Prishtinë e kanë dhënë pas paralajmërimeve të kryeministrit serb, Millosh Vuçeviç, i cili, duke fokur në Parlamentin e Serbisë rreth deklaratës së miratuar para disa javësh në kuvendin e ashtuquajtur gjithëserb, u shpreh se Beogradu nuk e ka pranuar marrëveshjen franko-gjermane dhe rrjedhimisht, nuk do ta njohë Kosovën.