Bota
Trump e quajti budallaqe/ Reagon stafi i Kamala: Donald i frikësuar
Donald Trump ka shtuar dozën e akuzave duke kaluar në fyerje kundrejt rivales së tij.
“Harris është një vajzë budallaqe që nuk ka aftësi për të bërë një debat të vërtetë me mua. Ajo ka frikë ta bëjë këtë. Unë e ftoj atë të përballemi më 4 shtator ose në të kundërt nuk do ketë debat fare”. Kështu u shpreh Donald Trump në rrjetin social Truth, duke nënvizuar se është i gatshëm të përballet me Harrisin vetëm në një rrjet “miqësor” si Fox News.
“A e ka vënë re dikush që ajo nuk jep intervista? Kjo është sepse ajo është budallaqe dhe nuk mund të flasë siç duhet pa një teleprompter. Ajo ka një IQ shumë të ulët dhe vendi nuk ka nevojë për dikë që nuk mund të bashkojë dy fjali së bashku” ka shtuar Trump.
Ish-presidenti kishte rënë dakord për një debat në stacionin ABC me Joe Biden për 10 shtator dhe, pas tërheqjes së këtij të fundit nga gara për Shtëpinë e Bardhë, Harris konfirmoi debatin dhe kohën kur do të zhvillohej në këtë stacion televiziv. Por më pas Trump foli për një marrëveshje për 4 shtatorin për Fox, e cila përfundimisht u mohua nga Harris.
Ndërkohë stafi i Kamala Harris iu përgjigj Trumpit duke i cilësuar ato si deklaratat e një njeriu që është i trembur deri në palcë. “Donald Trump është i frikësuar dhe po përpiqet të shmangë debatin duke kërkuar strehim te Fox”, tha një zëdhënës i stafit të Harris. I njëjti burim konfirmoi se Harris do të jetë në studiot e ABC më 10 shtator, pavarësisht nëse Trump do të pranojë debatin apo jo.