Aktualitet
Reforma Territoriale rikthen debatin, Bashkitë nisin konsultimet me qytetarët
Në kulmin e sezonit veror, bashkitë në të gjithë vendin kanë nisur përgatitjet për të përmbushur kërkesat e procesit të Reformës Territoriale, pas afateve të vendosura në projektligjin e paraqitur për këtë çështje.
Sipas propozimit, kryetarët e bashkive, këshillat bashkiakë dhe qytetarët duhet të paraqesin qëndrimet e tyre të argumentuara mbi ndryshimet e mundshme në ndarjen administrative territoriale.
Për shkak të afateve ligjore, këshillat bashkiakë kanë nisur hartimin e kalendarëve për dëgjesat publike me komunitetet lokale. Procesi zhvillohet edhe në bashkitë që janë propozuar për t’u shkrirë, ku një pjesë e qytetarëve kanë shprehur më herët kundërshtime ndaj këtyre ndryshimeve.
Edhe Komisioni për Reformën Territoriale ka zhvilluar më parë dëgjesa me qytetarët dhe grupet e interesit, ndërsa tashmë konsultimi rikthehet në nivel vendor.
Në këtë fazë, administrata vendore dhe këshillat bashkiakë pritet të informojnë qytetarët dhe të mbledhin argumentet pro ose kundër ndryshimeve të propozuara.
Pjesë e procesit janë edhe bashkitë që parashikohet të zgjerohen, të cilat gjithashtu duhet të japin një vlerësim të argumentuar mbi ndikimin e ndryshimeve të mundshme territoriale.
Reforma Territoriale pritet të sjellë debat të gjerë politik dhe publik, ndërsa qëndrimet e bashkive dhe qytetarëve do të jenë pjesë e materialeve që do t’i nënshtrohen shqyrtimit institucional.