Aktualitet
Zgjedhjet në Himarë/ Përfaqësuesja e Kriik: Ja problematikat që kemi identifikuar para dhe gjatë…
Zgjedhjet e zhvilluara në Himarë në 4 gusht u trajtuan një program televiziv ku e ftuar ishte Antuela Male nga Kriik Albania.
Ajo shprehu kritika për procedurat e ndjekura nga Presidenti i Republikës lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve. “Institucioni i Presidencës duhej të kishte pritur afatet e ankimimit dhe më pas duhej të zhvillonte konsultime me palët në proces”, tha ajo.
Lidhur me personat me dokumente të skaduara që nuk arritën të votonin në zgjedhjet për Kryebashkiak të Himarës, Male tha se ka pasur problematika lidhur me listat e zgjedhësve.
“Një praktikë shumë e mirë e aplikuar qoftë në 2021 ashtu edhe në 2023, mund të përdorej edhe në zgjedhjet e 4 gushtit, në rastet kur votuesit kanë pasur dokumente në skadencë.
Nuk ka një kusht ligjor se kush e vendos në lëvizje Ministrinë e Brendshme në raste të tilla, mund ta bëjë edhe KQZ, ndërsa Ministria e Brendshme më pas ia referon Qeverisë, e cila nxjerr udhëzimet përkatëse”, tha Male.
Sipas saj, gjithsesi nëse i referohemi ligjit në rastin e Himarës nuk kemi shkelje ligjore, edhe pse zgjedhjet nuk mund të trajtohen vetëm me frymën e ligjit.
Në vijim, Male tha se fushata elektorale nuk ishte vetëm 1 javë, por ka nisur shumë më herët.
“Vangjel Tavo dihej se do të ishte kandidat i PS-së për Himarën, madje ai ka nisur fushatën që kur ishte Prefekt i Vlorës dhe ky është një tjetër problem, edhe pse Tavo nuk ishte regjistruar zyrtarisht si kandidat”, tha Male.
Duke u ndalur në ditën e zgjedhjeve, Male evidentoi si problem grumbullimin e personave para qendrave të votimit.
“Në ditën e zgjedhjeve, duke grumbulluar njerëzit pranë qendrave të votimit, as më shumë e as më pak bëhet patronazhimi i qendrave të votimit, ndoshta edhe intimidim të votuesve. Ndaj ne kemi dyshime të forta se shkrimi apo nënshkrimi i listës së zgjedhësve, ndoshta bëhet për këtë shkak, megjithëse nga KQZ ka pasur udhëzime të qarta ndaj komisionerëve, se kur zgjedhësit identifikohen përmes pajisjeve elektronike, nuk ka pse të nënshkruhet lista e zgjedhësve”, tha ajo.