Sport
Superkupa europiane/ Kapiten Gjimshiti në fushë, finalja “e zjarrtë” Real Madrid-Atalanta
Pritjes i erdhi fundi. Futbolli europian për klube kthehet në fushën e lojës dhe e bën me një finale të rëndësishme siç është ajo e Superkupës. Të gjithë prozhektorët drejtohen në Varshavë, ku Real Madrid fitues i Champions dhe Atalanta, fituese e Europa League do të diskutojnë trofeun e parë të rëndësishëm të futbollit në kontinentitn e vjetër.
Kampionët spanjollë janë favoritë absolutë, ndërsa sytë janë të gjithë te Kilian Mbape, që do të bëjë debutimin e tij me “Los Blancos”. Po ashtu, me shumë kërshëri pritet se si Ançeloti do të vendosë në fushë skuadrën e mbipopulluar me shumë yje, sidomos në repartin e sulmit. Por kjo është gjëja e fundit që shqetëson teknikun italian. Në mendjen e tij dhe madrilenëve është vetëm trofeu.
“Nuk duhet Einstein për të vendosur Mbappe në fushë. Ai është një futbollist i madh, një talent i madh, I motivuar dhe sigurisht i lumtur që është këtu dhe gati të japë kontributin e tij. Ne duam të fitojmë dhe të nisim sezonin me këtë trofe të rëndësishëm. Por nuk është e lehtë ndaj një skuadre si Atalanta, që luan një futboll të bukur dhe të shpejtë”
Në seancën e fundit stërvitore, Real Madrid humbi Eduardo Kamavinga, që la fushën pas një dëmtimi në gju, ndërsa Alaba ashtu si në pjesën e dytë të sezonit të shkuar vazhdon të qëndrojë jashtë.
Nëse flasim për mungesat, ato janë një problem shqetësues për Atalantën. Mes të dëmtuarve dhe atyre që pritet të largohen si Kopmeiners, skuadra bergamaske prezantohet në këtë finale pa gjashtë lojtarë të rëndësishëm. Ky fakt i ul akoma më shumë kuotat e Atalantës, por trajneri Xhanpiero Gasperini nuk dorëzohet përpara kohe.
“Duam të luajmë një ndeshje të një prestigji të pabesueshëm me dëshirën për t’i habitur të gjithë. Është një sfidë shumë e vështirë, por do të zbresim në fushë për të shfaqur lojën dhe krenarinë tonë, për të bërë një ndeshje të madhe. Pavarësisht mungesave, unë dhe Atalanta nuk e ndjejmë aspak vetën në vështirësi”.
Pas triumfit në Europa League, finalja e Superkupës është një tjetër skenë e madhe edhe për kapitenin e kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti. Mbrojtësi refuzoi një ofertë fantastike nga Katari për të qëndruar tek Atalanta dhe do të niset si gjithmonë titullar.