Kronike
Sherr për bagëtitë/ Zbardhen detaje nga vrasja e 72-vjeçarit
Vrasja e 72-vjeçarit Faik Ajdini në fshatin Zhapokike besohet se është kryer për një konflikt me një nga çobanët e zonës, me të cilët dy muaj më parë ai ka pasur përplasje lidhur me një kullotë për bagëtitë.
Deri ditën kur ka ndodhur vrasja, viktima Ajdini ka shërbyer si kryeplak i fshatit pranë bashkisë Memaliaj. Ai ishte njeriu që merrej me ankesat e bashkëfshatarëve duke i adresuar këto ankesa në strukturat policore dhe bashkisë Memaliaj.
Për momentin prokuroria e Gjirokastrës që po heton rastin e lidh ngjarjen për shkak të detyrës që kryente 72-vjeçari Faik Ajdini. Ndërsa konflikti për kullotën e bagëtive është motivi kryesor.
I moshuari kishte dy ditë që nuk ishte paraqitur në shtëpi. Ndërsa ditën e djeshme, familjarët kishin bërë denoncim në policinë e Memaliaj.
Njëherësh kërkimet janë kryer nga anëtarët e familjes së Faik Hajdinit, i cili mëngjesin e sotëm është gjendur buzë një përroi që lidhet me lumin Vjosa.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar dhe efektivët e policisë, të cilët kanë konstatuar se kryeplaku ishte qëlluar dy herë me thikë.
Për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes aktualisht, prokuroria e Gjirokastrës ka caktuar një ekspert mjeko-ligjor, për kqyrjen e trupit të pajetë.
Hetimet tashmë janë duke vijuar duke marrë në pyetje disa persona, mes të cilëve edhe çobanin me të cilin kryeplaku Faik Ajdini, ka pasur konflikt dy muaj më parë.