Connect with us

Kosova

Takimi në SHBA trazon Prishtinën/ A është paralajmërim për Kurtin takimi Hamza-Kasanoff

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, së fundmi u bë politikani i parë nga Kosova, por edhe nga Ballkani, që u takua zyrtarisht me Alexander Kasanoff, zëvendësndihmës sekretarin e ri të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Ky takim ka ndezur spekulime të shumta për pasoja të mundshme për skenën politike në Prishtinë, por analistët bien dakord për një gjë – se Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar mesazh të qartë Albin Kurtit me këtë lëvizje.

Pas takimit, Hamza ka shprehur shpresën se “gabimet dhe konfuzioni i qeverisë në Prishtinë do të rishikohen”. Kjo ka shtyrë shumë të pyesin nëse ky takim ishte një mesazh për kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurti dhe cili mund të jetë kuptimi i tij i vërtetë.

Lëvizjet erdhën vetëm një ditë pasi nga Departamenti i Shtetit, zëdhënësi Matthew Miller tha se Kosova me veprimet e saj të njëanshme ka rrezikuar mbështetjen e SHBA-së.

Marko Milenkoviç nga OJQ-ja “New Social Initiative” nuk ka dyshim se nëse nuk ka ndryshim në qasjen politike të Prishtinës, autoritetet amerikane mund të kërkojnë partnerë të tjerë apo edhe të ndërhyjnë në zgjedhje.

“Takimin që Hamza ka pasur me të dërguarin e SHBA-së për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor, une e interpretoj si një mesazh dërguar autoriteteve në Prishtinë, në radhë të parë duke pasur parasysh mosmarrëveshjet që qeveria ka pasur me administratën amerikane, të cilat janë shumë dhe qe evidentohet përmes deklaratave nga Departamenti i Shtetit. Besoj se ky takim është para së gjithash një mesazh për autoritetet në Prishtinë që nëse nuk ka ndryshim në qasjen politike, Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të gjejnë partnerë të tjerë” – theksoi Milenkoviç.

Ai kujtoi gjithashtu se në periudhën paraprake edhe ish-i dërguari i SHBA-së Gabriel Escobar ka dërguar mesazhe se nëse SHBA-të aktualisht nuk kanë partner në Prishtinë, do të përpiqen të gjejnë një partner adekuat.

“Besoj se ky është një mesazh. Tani sa do të kuptohet nga autoritetet në Prishtinë dhe sa do të ndryshojë qasja e tyre, nuk jam i sigurt, por sigurisht e interpretoj si mesazh të qartë. Pres që në periudhën e ardhshme, nëse nuk do te kete ndryshime nga Prishtina, këto mesazhe do të forcohen edhe më shumë dhe se në një farë mënyre SHBA-të mund të përfshihen në procesin parazgjedhor dhe mundësisht të mbështesin ndonjë kandidat” – potencoi bashkëbiseduesi i Kosovo Online.

Sipas tij, ka tension të dukshëm politik mes Hamzës dhe Vetëvendosjes, gjë që është reflektuar edhe në ngjarjet e fundit, siç është çështja e hapjes së urës në lumin Ibër.

“Hamza po përpiqet të jetë partner i komunitetit ndërkombëtar, ndërsa Vetëvendosje po e shtyn agjendën e vet përmes veprimeve politike dhe lëvizjeve të njëanshme, duke u përpjekur të fitojë pikë shtesë në qarqe të caktuara votuese, por edhe në një farë mënyre të minojë kandidatët kundërshtarë ” – deklaroi Milenkoviç.

Advertisement