Aktualitet
Rrezikuan jetën e pushuesve, policia bllokon 35 mjete lundruese
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare bëjnë me dije se gjatë javës që lamë pas, në kuadër të operacionit “Siguria Detare” ka bllokuar 35 mjete lundruese.
Operacioni është zhvilluar nga Ksamili në Koman përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore.
Mjetet e bllokuara janë 20 jet ski, 8 skafe, 5 gomone dhe 2 varka metalike, një pjesë e të cilëve nuk kishin dokumentacionin përkatës, teksa kishte dhe nga ata drejtues që shkelën perimetrin e sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesve.
Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative prej 100,000 lekësh të rinj.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni SIGURIA DETARE
Kontrolle të shtuara nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore.
Si rezultat i kontrolleve në kuadër të operacionit “Siguria Detare”, gjatë kësaj jave nga Ksamili në Koman, janë bllokuar 35 mjete lundruese.
Mjetet e bllokuara: 20 jet ski, 8 skafe, 5 gomone dhe 2 varka metalike.
26 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë.
6 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin.
1 mjet lundrues është bllokuar në Velipojë dhe 2 varka metalike me motor uji për lundrim janë bllokuar në Koman.
9 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative prej 100,000 lekësh të rinj.
Drejtuesit e 26 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative prej 10,000 lekësh për mungesë dokumentacioni.
Po gjatë kësaj jave, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare iu kanë dhënë ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 9 raste në hapësirën detare nga Ksamili në Koman. Në shumicën e rasteve, turistëve ju rrezikohej seriozisht jeta për shkak të prishjes së mjeteve lundruese apo pamundësisë për t’u kthyer në breg për shkak të dallgëve.
Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese të zbatojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë për pushuesit, rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit, si dhe të tregohen vigjilentë gjatë lundrimeve.
Njëkohësisht, Policia Kufitare fton pushuesit të denoncojnë çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë detare apo të masave të sigurisë gjatë udhëtimeve turistike në zonat bregdetare, liqenore dhe lumore, duke ju garantuar reagim të menjëhershëm.