Kosova
Trazirat në Veri/ Ngjela: Kosova, shtet i pavarur s’mund të ndërhyjë askush
Autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur të premten pesë institucione paralele serbe në veri të vendit, pjesë e banuar me shumicë serbe, njoftoi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi.
Ai tha se institucionet paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Në lidhje me këtë veprim të Qeverisë, ka pasur shumë reagime nga ndërkombëtarët duke mos u pajtuar dhe shprehur paknaqësi.
Për këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati shqiptar, Spartak Ngjela.
Ai tha se Kosova është shtet i pavarur shqiptar që nga viti 2008 dhe se askush nuk ka të drejtë të cenojë pavarësinë e një shteti të pavarur.
“Territori i shtetit të pavarur të Kosovës, nuk është shtrirje, por pavarësi juridike sipas kufijve të vendosur në Kushtetutën e Kosovës, e cila është njohur ndërkombëtarisht.
Kosova, që nga viti 2008, është një shtet i pavarur shqiptar.
Një shtet i pavarur që nuk e shtrin kushtetutën e tij, dhe, të gjithë sistemin ligjor, në tërësinë e tij territoriale, sipas kushtetutës së tij – ky shtet nuk është më një shtet i pavarur.
Prandaj, askush nuk ka të drejtë të cenojë pavarësinë e një shteti të pavarur”, u shpreh ai.
Më tej, Ngjela thekson që nëse një shtet i pavarur, ligjet që nxjerr duhet t’i formulojë me lejen e ndonjë autoriteti tjetër, ky nuk është shtet i pavarur. Ndër të tjera nënvizon që ligji i një shteti të pavarur është vullnet i popullit të vet. “Ligji, sot në Kosovë, është ligj i shtetit të pavarur me emrin Repiblika e Kosovës, dhe ligjet e saj ka të drejtë ekskluzive që t’i nxjerrë vetëm Republika e Kosovës. Nëse një shtet i pavarur, ligjet që nxjerr duhet t’i formulojë me lejen e ndonjë autoriteti tjetër, ky nuk është shtet i pavarur.
Kosova është shtet i pavarur me kushtetutën e saj. Askush, përveç Kuvendit të Kosovës, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në formulimin edhe votimin e një ligji. Sepse, ligji i një shteti të pavarur është vullnet i popullit të vet. Kjo është normë juridike universale për çdo shtet të pavarur”, përfundoi avokati Ngjela