Bota
Netanyahu akuza të rënda ndaj Hamasit: Do të paguajë për vdekjet e pengjeve
Benjamin Netanyahu bëri thirrje për unitet në një konferencë shtypi sot, teksa vala e zemërimit për vdekjen e gjashtë pengjeve izraelitë nga Hamasi në Gaza po vërshon.
Ai tha se Izraeli “duhet të mbetet i bashkuar si një” pasi përballet me një “armik brutal dhe të egër” që dëshiron të “na zhdukë dhe të na vrasë të gjithëve“.
Netanyahu, në një lëvizje të rrallë, kërkoi falje për faktin se gjashtë pengjet nuk u kthyen të gjallë në shtëpi, duke thënë: “Ishim afër, por nuk ia dolëm”.
Ai mbrojti vendimin e tij për të mos pranuar tërheqjen izraelite nga korridori i Filadelfias, pavarësisht faktit se ishte e qartë se refuzimi i tij do të nënkuptonte se nuk do të kishte asnjë marrëveshje për lirimin e 101 pengjeve në Gaza.
Madje ai ka pohuar se nuk është personalisht përgjegjës për fatin e tyre ndërsa ka theksuar se “Hamasi është ai që nuk dëshiron marrëveshje”.
Ai më pas tha se Hamasi do të “paguante një çmim shumë të rëndë” për “masakrimin” e izraelitëve.
Netanyahu tha se qëllimet e Izraelit ishin të eliminojë Hamasin, të kthejë pengjet e mbetura, të sigurojë që Gaza “të mos jetë më një kërcënim për Izraelin” dhe t’i lejojë njerëzit që jetojnë në Izraelin verior të kthehen në shtëpi.
Fjalimi i tij u bë në një kohë kur protestuesit kërkonin një marrëveshje të menjëhershme për kthimin e pengjeve në një distancë të shkurtër prej disa dhjetëra metrash nga shtëpia e tij, ndërsa policia kishte vendosur barrikada në vendngjarje.