Rajon
Greqia ‘i tërheq veshin’ Gjermanisë/ Mitsotakis: Nuk jemi dakord për…
Një ditë pas vizitës së tij në Vjenë dhe bisedimeve me kancelarin e Austrisë me epiqendër çështjen e emigracionit, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka reaguar duke i dërguar një mesazh të qartë Berlinit se vendimi për mbylljen e kufijve që ka marrë Gjermania është i njëanshëm dhe nuk është përgjigja e Europës ndaj problemit në fjalë.
“Përgjigja mund të jetë një kompromis i drejtë për ruajtjen e kufijve europianë”, ka deklaruar Mitsotakis, duke theksuar se nuk duhet t’i hidhet topi vendeve të para të hyrjes së emigrantëve siç janë Greqia dhe Italia.
Sipas kreut të qeverisë greke Athina u thotë ‘Jo’ planeve gjermane për deportimin e mijëra emigrantëve që tashmë ndodhen në Gjermani të cilët kanë marrë ose jo azil në vendet e para pritëse si Greqia.
Kyriakos Mitsotakis thotë: “Se ne nuk po mbrojmë kufijtë tanë, por kufijtë e Bashkimit Evropian, të cilin po e mbështesim. Sido që të jetë, ne do të ndërtojmë edhe gardhin në kufi. Por është e drejtë vetëm nëse mund ta ndajmë këtë barrë financiare.
Në të njëjtën kohë me këtë mbështetje aktive duhet të kemi parasysh edhe gjëra të tjera. Këtu na duhen të bëjmë refuzime të kërkesave , riatdhesime efikase dhe gjithashtu duhet të vazhdojmë procedurat në mënyrë të koordinuar.
“Ajo që sigurisht nuk mund të pranojë një vend si Greqia është të mbajë mbi supe një barrë të madhe në mënyrë disproporcionale thjesht për shkak të specifikës gjeografike, për faktin se ndodhet, pra në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian”, ka nënvizuar me kuptim Mitsotakis.
Duke folur mesditën e së enjtes në një radiostacion grek Mitsotakis ka thënë se qeveria e tij ka ndjekur një politikë të drejtë dhe strikte të mbrojtjes së kufijve të vendit që janë edhe kufij europianë dhe ky ishte një hap i parë në një përpjekje sistematike për të bindur të shtete anëtare se në fillim duhej kufizuar numri i emigrantëve që hynin në BE, duke luftuar fort trafikantët e qenieve njerëzore.
Kryeministri grek ka shtuar gjithashtu se bashkëpunimi me Turqinë është i nevojshëm për këtë çështje dhe është i kënaqshëm pasi shteti fqinj ka marrë mesazhin se instrumentalizimi i emigracionit nuk do të tolerohet nga Greqia dhe Evropa.