Connect with us

Politike

Flamur Noka: Vendimi për Saljanjin u mor në varrimin e nënës së Fatmir Xhafajt

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka folur për dënimin me burg të Ervin Salianjit, të cilin e ka cilësuar sërish si vendim politik.

Noka tha në “Të Paekspozuarit”, se burgosja e Salianjit vjen si pasojë e influencës direkte të Fatmir Xhafajt mbi sistemin e drejtësisë. Noka tha se Xhafaj është betuar në varrin e nënës së tij, se do të dënojë Salianjin, për t’u hakmarrë ndaj tij për shkak se pas denoncimit të Salianjit, vëllai i Xhafajt, Agron Xhafaj, vuajti dënimin në Itali si trafikant droge.

“Vendimi është marrë në varrin e nënës së Xhafës. Fatmir Xhafaj është betuar në varrin e nënës që unë do ta burgos, sa burg të bëjë vëllai im”, tha Noka.

Noka tha se dënimi i Salianjit i kujton “nenin 55” në diktaturë. Sipas tij, në një demokraci normale, Salianji duhet të falenderohej nga të gjithë për faktet që denoncoi.

“Ne kemi konsideruar vendimin politik, pasi botërisht dihet që është vendim që nuk ka bazë ligjore, gjyq politik që është zhvilluar prej vitesh me një qëllim për të mbajtur nën presion deputetin guximtar dhe kurajoz, njeriun që i shërbente opozitës dhe opozitarizmit, demokratin e madh, Ervin Salianjit. Dënimi i Salianjit na kujton nenin famëkeq, nenin 55. Ervin Salianji, nuk është autori i asnjë vepre penale. Ervin Salianji thjesht kreu një shërbim publik ligjit, vendit, demokracisë në Shqipëri.

Çfarë bëri? Ervin Salianji në një demokraci normale, duhet të falenderohej nga të gjithë. Bëri një shërbim demokracisë, ligjit, politikës. Tregoi me gisht që kemi një ministër me vëlla trafikant droge që fshihej. Tregoi se në shtetin e Edi Ramës, një trafikant droge i dënuar po maskohej. Atij trafikantit nga pushteti i ishte dhënë pashaportë tjetër. Nga pushteti, jo vetëm fshihej, por i ishte dhënë mbështetje. Jo vetëm e fshehën por shteti i mafias e pajisi me pashaportë me emër tjetër, që ti shmangej burgut dhe të shëtiste i lirë në gjithë botën. Ku ndodh kjo? Ky njeri burgoset. Ky shtet mund të na përfaqësojë ne apo mafian?”, tha Noka

Advertisement