Bota
Vriten 8 ushtarë izraelitë gjatë luftimeve me Hezbollahun në Liban
Ushtria izraelite njoftoi të mërkurën vonë se tetë ushtarë izraelitë janë vrarë gjatë luftimeve kundër grupit militant Hezbollah brenda Libanit.
Forcat izraelite e nisën mëngjesin e së martës një ofensivë tokësore kundër Hezbollahut në jug të Libanit, duke i përshkallëzuar edhe më shumë tensionet.
Në një video ngushëlluese, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha: “Ne jemi në kulmin e një lufte të vështirë kundër Boshtit të së Keqes së Iranit, i cili dëshiron të na shkatërrojë”.
“Kjo nuk do të ndodhë, sepse ne do të qëndrojmë të bashkuar, dhe me ndihmën e Zotit, ne do të fitojmë së bashku”, tha Netanyahu.
Hezbollahu është grup militant dhe parti politike njëkohësisht, i cili e kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor dhe mbështetet nga Irani.
Ai është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.
Hezbollahu tha se luftëtarët e saj janë duke luftuar kundër forcave izraelite brenda Libanit të mërkurën. Kjo ishte hera e parë që ky grup raporton për luftime prej se forcat izraelite kaluan matanë kufirit.