Connect with us

Kosova

Tipari kryesor i Qeverisë, marrja e vendimeve të vonuara pa ndonjë shpërblim në këmbim

Për ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, tipari kryesor i Qeverisë aktuale të Kosovës në këto 3 vjet e gjysmë qeverisje ka qenë marrja e vendimeve të vonuara, pas presionit të komunitetit ndërkombëtar, pa fituar ndonjë shpërblim në këmbim, dhe sipas tij kjo eshte “Për keqardhje”.

Një deklaratë të tillë Selimi e ka bërë pas një deklarate të dërguarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, I cili gjatë një vizite në Kosovë tha se në botë gjërat ndryshojnë dhe nëse Kosova e humbet momentin atëherë “mos u ankoni më vonë se gjërat ndryshuan”.

Kosova po përballet me presione të mëdha ndërkombëtare dhe një ultimatum të rreptë nga Gjermania.

Albin Kurti, i cili dikur e shihte Gjermaninë si aleatin e tij kryesor, e ktheu të dërguarin e saj dy herë nga Kosova me duar bosh.

I deleguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin, javë më parë vizitoi Kosovën dy here brenda tetë ditëve, me synim për të bërë përgatitjet e duhura për Procesin e Berlinit dhe bashkëpunimin rajonal, për të cilat tema takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Diplomati gjerman në dy këto takime insistoi që Kosova të pezullojë vendimin për ndalimin e futjes së mallrave serbe në Kosovë.

Qeveria e Kosovës e ka ndaluar importin e mallrave nga Serbia më 15 qershor të vitit të kaluar, një ditë pasi forcat serbe kishin arrestuar tre policë të Kosovës.

Advertisement