Aktualitet
Reuters citon admiralin e NATO-s: Tensionet në veri mund të shkaktojnë më shumë dhunë
Tensionet e vazhdueshme etnike në veri të Kosovës mund të shkaktojnë një përsëritje të dhunës së para një viti, kur katër persona vdiqën në një betejë me armë ne Banjske, dhe kur paqeruajtësit e NATO-s u lënduan në përleshje, paralajmëroi një zyrtar i lartë nga aleanca ushtarake, ka shkruar Reuters.
Admirali i Marinës së SHBA-së Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate ne Napoli, e cila mbikëqyr forcën paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë – tha se aleanca mbetet e shqetësuar për rrezikun e dhunës së përsëritur në veriun e paqëndrueshëm.
“Retorika e nxehtë politike mund të frymëzojë disa forca joqeveritare për të kryer dhunë siç ndodhi vitin e kaluar”- u tha Munsch gazetarëve në Prishtinë.
“Nuk do të thosha se përfundimisht po vjen konflikti, mendoj se ka një rrezik të vazhdueshëm”, tha ai, duke iu referuar mungesës së progresit në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë.
Katër muaj më parë, më shumë se 90 ushtarë u plagosën kur protestuesit serbë sulmuan paqeruajtësit e NATO-s.
Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron pas sulmit në Banjska, por Beogradi i ka mohuar akuzat.
SHBA dhe Bashkimi Europian, aleatët kryesorë globalë të Kosovës, kanë kritikuar qeverinë e Prishtinës për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme në veri që mund të nxisin dhunë etnike dhe të rrezikojnë jetën e rreth 4,000 trupave të NATO-s në detyrë atje.
Kosova i ka refuzuar kritika te tilla dhe çështja ka tensionuar lidhjet e Prishtinës me mbështetësit e saj perëndimorë.