Kosova
FUNDI I ENDRRES/ Qëndrimi i Uashingtonit do krijojë humbje të papërballueshme për Kosovën
“Uashingtoni ka udhëhequr një politikë të vazhdueshme ndaj Ballkanit Perëndimor për tre dekadat e fundit dhe pres që të mbetet e tillë” – keshtu tha zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit për Ballkanin Perëndimor, Aleksandar Kasanoff, dy javë pasi Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA.
“Dëshiroj të theksoj se ka një vazhdimësi të fortë në politikën tonë ndaj Ballkanit në 30 vitet e fundit. Pres që kjo vazhdimësi, rreth synimeve themelore që kemi për këtë rajon, të vazhdojë”, theksoi Kasanoff në një intervistë për agjencinë e lajmeve HINA duke shtuar qe nëse do të qëndrojë ne poziten e tij pas 20 janarit, kur të vijë në pushtet qeveria e Donald Trump, do të vazhdojë të punojë që rajoni të përparojë në të gjitha aspektet.
Ai tha gjithashtu se SHBA-ja është e shqetësuar për ndikimin e Rusisë në të gjithë rajonin dhe për këtë arsye po punon me vendet e Ballkanit Perëndimor për të parandaluar dezinformimin.
Zyrtari amerikan theksoi se Uashingtoni aktualisht sheh një “mundësi reale” të përparimit të rëndësishëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit euroatlantik.
Në këtë drejtim, ai vuri në dukje planin e rritjes prej gjashtë miliardë eurosh të BE-së për rajonin, i cili kushtëzohet nga zbatimi i reformave, sepse, siç tha ai, mund të kontribuojë ndjeshëm në ato vende dhe “banorët e tyre mund ta ndjejnë”.
Kasanoff paralajmëroi se “nuk është një periudhë që do të zgjasë përgjithmonë” dhe se duhet shfrytëzuar momenti aktual i favorshëm.
“Qëllimi këtu është që rajoni të distancohet nga trashëgimia e luftërave të viteve 1990 dhe realisht të arrijë të kthejë faqen e etno-nacionalizmit”, theksoi zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit për Ballkanin Perëndimor.