Kosova
Serbia RRETHOHET nga Bayraktarët/ Pas Kosovës e Shqipërisë, një shtet tjetër ballkanik blen dronët e Turqisë
Kroacia ka nënshkruar një kontratë për blerjen e gjashtë dronëve pa pilot Bayraktar TB2 në vlerë prej 67 milionë eurosh. Kjo kontratë është zyrtarizuar në Zagreb në fundjavë dhe vjen në një moment kur dronët e Turqisë kanë fituar reputacion të fortë në rajon, posaçërisht për shkak të efikasitetit sulmues dhe teknologjinë e avancuar.
Ministri i Mbrojtes i Kroacisë, Ivan Anushiç, ka deklaruar se Bayraktar TB2 është një sistem shumë i nevojshëm për ushtrinë kroate, i cili, përveç operacioneve luftarake, mund të monitorojë kalimin ilegal të kufirit dhe mund të përdoret gjithashtu edhe nga Ministria e Bujqësisë e Kroacisë dhe Ministria e Planifikimit Hapësinor.
Në vitet e fundit, dronët pa pilot të prodhimit turk kanë tërhequr vëmendjen e vendeve të vogla ballkanike, duke ndikuar edhe në dinamikën e sigurisë rajonale. Ministria e Mbrojtjes e Bosnje dhe Hercegovinës, gjithashtu, aktualisht është duke negociuar blerjen e gjashtë Bayraktareve.
E nëse shitja e Bayraktarëve realizohet sipas planit, atëherë Bosnje dhe Hercegovina do të bëhet vendi i pestë në rajon që do t’i posedojë dronët e sofistikuar luftarakë të Turqisë. Bayraktarët tashmë janë në dispozicion të Kosovës, Shqipërisë dhe Rumanisë.
Kosova ka marr dronë në korrik të vitit të kaluar, por nuk është bërë e ditur sa prej tyre janë bërë pjesë e flotës së mjeteve ajrore pa pilot, ndërsa Shqipëria i ka marre në mars 2024 kurse Rumania ne qershor të këtij viti.
Serbia, megjithatë, ka shprehur pakënaqësi ndaj Turqisë rreth shitjes së dronëve për fqinjët rajonalë. Ajo ka qenë e interesuar për një kohë të gjatë në blerjen e Bayraktarëve, megjithëse agjencitë turke të lajmeve kanë raportuar se Turqia ka refuzuar t’i shesë dronë Serbisë, kryesisht për shkak të kërcënimeve ndaj Kosovës.