Connect with us

Kronike

Ekstradimi/ Dritan Rexhepi mbërrin në Rinas, 4 çështjet për të cilat akuzohet (VIDEO)

45-vjeçari Dritan Rexhepi alias Gramoz Rexhepi, një prej emrave më të shumëkërkuar në Europë, është ekstraduar ditën e sotme nga Turqia në Shqipëri.

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e mbërritjes së tij në aeroportin e Rinasit, ku shfaqet i shoqëruar nën masa të rrepta sigurie.

I lindur në Velçë të Vlorës, në një familje me 4 fëmijë, Dritan Rexhepi që emrin e lindjes e ka Gramoz, mund të quhet pa frikë si një nga mendjet gjeniale të botës së krimit, dhe ndoshta shqiptari më i rëndësishëm në botën e narkotrafikut.

Në foto: Dritan Rexhepi alias Gramoz Rexhepi

Autoritetet bëjnë me dije se ndaj Dritan Rexhepit në vitin 2020 GJKKO i ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi akuzohet se nëbashkëpunim me shtetasin Gentjan Doda alias Funiqi ka urdhëruar rrëmbimin e Jan Prengës. Për këtë çështje mbi Dritan Rexhepin rëndojnë akuzat për vperat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz në Janar të vitit 2020 për shkak se i vëllai i tij dyshohet se kishte vjedhur një sasi droge në portin e Portsmuth në Angli në pronësi të Dritan Rexhepit dhe Gentjan Dodës (Funiqit) Për shkak të dhunës se ushtruar në automjetim tip “Range Rover” ai humbi jetën rrugës për në resortin e Altin Hajrit në Shijak, aty ku nga pamjet filmike duket i pajetë. Trupi i Prengës nuk është gjetur as sot e kësaj dite.

Gjithashtu, në vitin 2015, Gjykata e Fierit e ka dënuar Dritan Rexhepin me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.

Policia raporton se dhe në vitin 2013, Dritan Rexhepi është dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Më konkretisht bëhet fjalë për krimin e regjistruar më 6 Tetor të vitit 1999 në një lokal në Krujë, ku në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vrarë me armë zjarri policin Durim Kasmi, si dhe plagosi pronarin e lokalit, Ramazan Bakiu, i cili humbi jetën më pas në spital. Dritan Rexhepi e eliminoi Kasmin për llogari të Shkëlqim Hakës, pasi viktima kishte qëlluar me grusht Hakën.

Dritan Rexhepi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Italia, pasi në vitin 2010, ai është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences, me 16 vjet burgim, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për trafikim të lëndëve narkotike. Ai është arratisur nga vendi i vuajtjes së këtij dënimi, në Firence. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 13 vjet, 8 muaj dhe 6 ditë burgim.

Gjithashtu, Dritan Rexhepi dyshohej nga autoritetet italiane se ishte dhe kreu i kartelit të drogës “Kompania Bello”, që transportonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Pas El Chapos, Dritan (Gramoz) Rexhepi ishte cilësuar si i arratisuri më i kërkuar i karteleve të drogës, që kishte thyer disa herë burgjet më të larta të sigurisë në kërkim të lirisë, dhe policia ndërkombëtare i ishte vënë nga pas, që nga arratia e tij e fundit në 2022, nga një burg ekuadorian.

Dritan Rexhepi alias Gramoz Rexhepi u arrestua në muajin Nëntor të vitit 2023 në vilën e tij luksoze në Stamboll, në kuadër të operacionit të emëruar “Kartel”, pas bashkëpunimit të autoriteteve turke me ato italiane, por dhe ato shqiptare. Pas procedurave gjyqësore, Dritan Rexhepi vendosi të ekstradohej në Shqipëri.

Veç arratisjes nga burgu i Ekuadorit, Dritan Rexhepi i ka dhe tre arratisje të tjera tëregjistruara: më konkretisht në vitin 2006 nga Policia e Durrësit në Shqipëri, në vitin 2011 nga burgu i Vogheras në Itali, si dhe nga burgu Merksplas i Belgjikës në të njëjtin vit.

Advertisement