Connect with us

Shkrime

BABALE 2, SPAK FOLI, tani Gazment Bardhi rrezikon burgun si Ervin Salianji

Iluzioni se SPAK ishte një organ i pavarur nga Edi Rama, prokurorët e të cilit do të guxonin t’i shkonin deri në fund të vërtetës për lidhjet e Ols Ramës me grupin e XIbrakës rrezikon ta çojë drejt burgut deputetin e Partisë Demokratike, Gazment Bardhin.

Mesazhi i erdhi nga Edi Rama që disa herë e ka paralajmëruar për gjyqin që e pret kur SPAK t’i kthejë përgjigje për denoncimin e lidhjeve të vëllait të tij me një grup trafikantësh të kokainës. Tani që SPAK e kreu detyrën dhe nuk gjeti prova për ta implikuar Ols Ramën me grupin e trafikantëve të kokainës, paralajmërimi i Ramës erdhi si kërcënim i hapur për burgosjen e deputetit të PD.

Me një fjalim të lexuar nga kryeministria, Rama gjeti rasti të përfitojë edhe vetë nga pafajësia e vëllait për të thënë se ishte një politikan i ndershëm që nuk kishte vjedhur ndonjëherë, nuk kishte dhunuar kurrë asnjë femër dhe nuk kishte bashkëpunuar ndonjëherë me krimin, as për të vjedhur vota.

Por thelbi i fjalimit, ishte t’i tregonte Gazment Bardhit procesin që e pret në gjykatë, ku tani duhet të përgjigjet për atë që Rama e quajti “krijim të rrethanave tipike të një kallzimi të rremë, përmes një sajese kriminale, mbi bazën e një dosjeje të vjetër të prokurorisë për një grup trafikantësh”.

Rama paralajmëroi se do të ketë “një proces gjyqësor siç e meriton autori i Babales së Dytë” duke lënë të kuptohet se trajektorja që e pret Bardhin është ajo që ndoqi Salianji, i cili prej disa muajsh vuan izolimin në burgun e Fierit, sepse denoncoi vëllain e Fatmir Xhafajt si trafikant droge.

Informacionet e Gazment Bardhit në SPAK

Gaz Bardhi i përket atij grupi politikanësh që besojnë se gota e SPAK është gjysëm e mbushur me prokurorë të ndershëm, prandaj kur i ranë në dorë materialet e policisë për grupin e trafikantëve të Xibrakës, ai denoncoi në media disa fakte që sipas tij tregonin se pjesë e grupitishte vëllai i kryeministrit Ols Rama.

Bardhi nxorri në publik dokumenta që tregonin se Ols Rama kishte dalë disa herë nga Shqipëria drejt Kosovës me të njëjtën makinë që përdornin edhe trafikantët e drogës, me targa AA653DM. Sipas Bardhit, Ols Rama ishte mik me kreun e grupit të trafikantëve Genci Xhixha dhe në materialet e policisë përshkruhej një person me kapele, rreth 45-vjeç, që ishte pjesë e grupit, por nuk ishte identifikuar.

Dosjen e policisë Bardhi e dorëzoi në SPAK si informacion dhe jo si kallëzim penal për Ols Ramën duke kërkuar nga prokurorët zbulimin e të vërtetës dhe identifikimin e personit, që sipas tij ishte i vëllai i kryeministrit.

Duhet vënë në dukje se Bardhi nuk çoi kallëzim penal në SPAK, por informacion, në mënyrë që shmangte denoncimin e mëvonshëm për kallëzim të rremë.

Precedenti “Salianji”, burg për konferenca shtypi

Deri një ditë para se gjykata e Apelit të vendoste përfundimisht për burgosjen e tij, Ervin Salianji nuk e kishte besuar se do të burgosej për denoncimin publik që bëri për të vëllain e Fatmir Xhafajt në bazë të një audio-përgjimi që i solli ish-skafisti Albert Veliu.

Pasi bëri denoncimin, Salianji u procedua penalisht si bashkëpuntor me Albert Veliun në krijimin e provave të rreme dhe për denoncimin publik që kishte bërë në media.

Njësoj si Gazment Bardhi, as Ervin Salianji nuk iu drejtua prokurorisë me ndonjë kallëzim penal për vëllain e Fatmir Xhafajt, por kjo nuk e pengoi gjykatën ta dënojë atë me 1 vit burg për faktin se duke e denoncuar publikisht ai kishte ndikuar që të vinte në lëvizje sistemin e drejtësisë për një hetim të vëllait të Fatmir Xhafajt.

Në vendimin për Ervin Salianjin, gjykata arsyetoi se ai kishte dijeni në krijimin e provave të rreme (audiopërgjimi) dhe se i ndërgjegjshëm për këtë, kishte bërë edhe denoncimin në media.

“Shfaqja e saj mediatikisht dhe adresimi qëllimisht për të iniciuar procedim penal ndaj shtetasit Geron (Agron) Xhafaj), si dhe dijenia e vullneti i manifestuar dukshëm i secilit prej bashkëpunëtorëve për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin në kryerjen e faktit kriminal është evidente dhe e qartë” thuhet në vendimin për Salianjin.

Prandaj edhe Rama, bazuar në vendimin e Salianjit, paralajmëron një proces ku Gazment Bardhi duhet të përgjigjet për krijimin e rrethanave të një kallëzimi, që SPAK tha se nuk ishte i vërtetë.

“E denoncoi, gjykoi dhe dënoi në publik si trafikant droge, duke krijuar rrethanat tipike të një kallzimi të rremë, përmes një sajese kriminale, mbi bazën e një dosjeje të vjetër të prokurorisë për një grup trafikantësh” u shpreh Rama.

Reagimi i Gazment Bardhit

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi duket i zhgënjyer nga përgjigjia e SPAK që shfajësoi Ols Ramën. I bindur se ka çuar në SPAK informacione të mjaftueshme për ta nxjerrë Ols Ramën pjesë të grupit të trafikantëve, Bardhi është shprehur se prokurorët janë bërë qesharakë dhe se nuk kanë kryer asnjë veprim për verifikime.

“I kuptoj prokurorët e SPAK se ndihen të kërcënuar, të intimiduar, të pafuqishëm përballë pushtetit të Ramës, por nuk kanë asnjë arsye për tu bërë qesharakë dhe për të na kthyer të gjithëve në memorie se të bërit qesharakë në fakt e kanë metodë të punës së tyre. Shqiptarët e mbajnë mend, që i njëjti prokuror, Alfred Shehu para 4 vitesh doli me zë e figurë dhe i tha shqiptarëve se në ngjarjen për zgjedhjet në Elbasan, nuk u gjetën materiale zgjedhore, nxitimi për të amnistuar bandën në pushet hasi në kundërshtimin e vetes vetëm kur tre ditë më vonë në gjykatë deklaroi që po, në makinë u gjetën materiale zgjedhore” u shpreh Bardhi disa ditë më parë.

Ndërsa pas kërcënimit të Ramës se do të ketë të njëjtin fat si Salianji, Bardhi u shpreh se disa pyetje në denoncimin e tij kanë mbetur pa përgjigje duke risjellë një video të Taulant Ballës kur ishte Ministër i Brendshëm, që pranonte se kishte dijeni se kush ishte 45 vjeçari me kapele në grupin e Xibrakës, por nuk mund ta thoshte.

Lapsi.al

Advertisement