Politike
Pas uljes së energjisë Rama nga Abu Dabi jep njoftimin e papritur: Së shpejti eksportojmë energji në BE
Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Emiratëve të Bashkuara Arabe për të marrë pjesë në eventet e Javës së Qëndrueshmërisë së Abu Dhabit 2025, (Abu Dhabi Sustainability Ëeek (ADSË). Rama, përmes një video të shpërndarë në rrjetet sociale lajmëroi se sot do të nënshkruhet marrëveshja trilaterale, sa i përket shtrirjes së lidhjeve nënujore energjetike me Italinë.
Kryeministri tha se lidhja do të ketë një pronësi të trefishtë e do të mbështetet në investime domethënëse të përbashkëta në rritjen e kapaciteteve prodhuese të Shqipërisë.
“Përshëndetje nga Abu Dhabi, për pak do të vendosim një gur kilometik në rrugën e pavarësisë sonë energjetike. Bashkë me kryeministren e Italisë miken e shtrenjtë Meloni, me ftesë të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, finalizojmë marrëveshje trilaterale për lidhje nënujore energjitike mes Shqipërisë e Italisë si dhe rritjen e prodhimIt të energjisë diellore në Shqipëri.
Lidhja do të ketë një pronësi të trefishtë e do të mbështetet në investime domethënëse të përbashkëta në rritjen e kapaciteteve prodhuese të vendin tonë. Kjo shkon edhe në funksion të ambicies për tu bërë të pavarur nga importi por na jep edhe një rol së shpejti si eksportues në BE.
Shqipëria sot vendi me kapacitetin më të lartë të vetëprodhuesve familjarë apo biznes nga energjia diellore në rajon. Energjia e prodhuar nga dielli ka kaluar nga 0 në 10 përqind të prodhimit të brendshëm. Plani është të arrijmë në 30 përqind brenda mandatit tonë të 4. Ishim i vetmi vend në rajon që nuk e rritëm çmimin e energjisë gjatë krizës europiane 2022-2023 dhe që nga 1 shkurti do të bëhemi zyrtarisht i vetmi vend europian që ulim çmimin e energjisë me 10.5%”, tha Rama.
Po ashtu, kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se ky projekt përfshinë tre qeveritë, ku parashikohet prodhimi i energjisë në Shqipëri, dhe dërgimi më pas në Itali përmes kabllove nënujore nëpërmjet operatorit italian Terna dhe Kompanisë Kombëtare të Energjisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Ne besojmë me forcë në këtë projekt që përfshin tre qeveritë tona, si dhe sektorin privat dhe operatorët e rrjetit. Nëse duam të realizojmë një tranzicion konkret dhe të qëndrueshëm energjetik, duhet të sigurohemi që ai të kryhet me infrastrukturën e duhur. Zhvillimi i ndërlidhjes mund të jetë çelësi për një diplomaci të re energjetike, për të shumëfishuar mundësitë e bashkëpunimit dhe për të gjeneruar përfitime për të gjithë ne së bashku”, ka deklaruar Meloni.