Connect with us

Politike

Shndërrimi i Vilës 31 në foto/ Nga errësira e së kaluarës komuniste në një hapësirë kulturore

Një prej simboleve më emblemëtike të trashëgimisë komuniste të Shqipërisë, Vila 31, po kalon një transformim të rrallë që pasqyron ndryshimin e madh shoqëror dhe politik të vendit. Dikur rezidenca private e Enver Hoxhës, udhëheqësit famëkeq komunist të Shqipërisë, kjo vilë është projektuar të shndërrohet në një hapësirë kulturore, duke hedhur pas një epokë të errët dhe të frikshme për shqiptarët.

Gjatë regjimit komunist, Vila 31 ishte simboli i pushtetit absolut. Ajo ishte jo vetëm një rezidencë luksoze e papërshkrueshme për kohën, por gjithashtu një qendër ku merreshin vendime që shënonin fatet e mijëra individëve. E rrethuar nga roje të armatosura dhe mister, Vila 31 u bë sinonim i paranojës dhe kontrollit të hekurt që karakterizoi regjimin e Hoxhës.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Pas rrëzimit të komunizmit në vitet 1990, Vila 31 humbi statusin e saj si simbol i pushtetit, duke u kthyer në një objekt kureshtjeje dhe debatit. Shumëkush mendonte se ajo duhej shkatërruar, si një kujtesë e dhimbshme e së kaluarës.

  • foto galeri

Megjithatë sot rezidenca e ish-diktatorit Enver Hoxha, po transformohet në një qendër të re artistike të quajtur “Vila 31 x Art Explora”. Ky projekt synon të krijojë një hapësirë për rezidenca, kërkime dhe eksperimentime artistike, duke shërbyer si platformë për shkëmbime ndërkulturore në zemër të Ballkanit.

 

 

  • foto galeri

Në tetor 2023, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nënshkroi një marrëveshje me fondacionin francez “Art Explora” për realizimin e këtij projekti. Ceremonia e nënshkrimit u ndoq nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministri Edi Rama.

  • foto galeri

Projekti synon të krijojë një hapësirë ​​për artistët dhe publikun për të ndarë përvojat historike, kulturore dhe njerëzore në kuadrin e zhvillimit të artit dhe kulturës, në hapësira që gjatë historisë ishin të rezervuara vetëm për një grup të ngushtë njerëzish.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Gjithashtu, transformimi i rezidencës së familjes së diktatorit në një mjedis gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues ku artistë me prejardhje multietnike dhe kulturore mund të bashkohen dhe të shkëmbejnë ide, art, histori dhe solidaritet.

Projekti synon të zhvillojë tendencat kulturore dhe artistike brenda vendit, si dhe të përfshijë promovimin e vlerave më të mira kombëtare në aspektin rajonal, evropian dhe më gjerë, me qëllim krijimin e një hapësire dialogu mbi diversitetin kulturor si një urë lidhëse për adoptimin e praktikave më të mira të rezidencave të artistëve të zhvilluara në vendet e Bashkimit Europian, si një proces paralel i ndërgjegjësimit për sfidat e integrimit europian.

  • foto galeri
  • foto galeri

Rinovimi i Vilës 31 u krye nga studioja arkitekturore Nem, me synimin për të ruajtur arkitekturën autentike të godinës, duke e integruar me hapësira të reja që do të shërbejnë për krijimin e historive të reja dhe të shumëllojshme.

Në ceremoninë e hapjes së rezidencës artistike ditën e sotme morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, si edhe ambasadorja e Francës në Shqipëri.

  • foto galeri

Kryeministri Edi Rama shprehu kënaqësinë e tij për transformimin e Vilës 31, duke e kthyer atë në një hapësirë krijuese për artistët shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë. Ai vuri theksin në ruajtjen e elementeve autentike dhe dekorit historik të godinës, duke krijuar një qendër që frymëzon dhe sjell sinergji të reja në art.

“Sot mbyllet një rrugë e gjatë mendimesh për fatin e kësaj godine. Ishim mes dilemave për programin që duhet të kishte dhe tundimeve për ta shembur. Por përfundimi është më i miri i mundshëm, falë dy arkitektëve që e kthyen këtë shtëpi me fantazma në një hapësirë me program krejtësisht të ri, duke ruajtur përmbajtjen dhe dekorin që e bëjnë më të jetueshme dhe frymëzuese. Shumë faleminderit për punën e jashtëzakonshme,” tha Rama.

  • foto galeri

Ministri Gonxhja theksoi ndikimin e pritshëm që kjo qendër do të ketë në tregun e artit shqiptar. Ai nënvizoi sfidat e menaxhimit dhe nevojën për të krijuar breza të rinj menaxherësh arti.

“Falë bashkëpunimit me Art Explora, qendra do të ofrojë kurse profesionale për artistët dhe menaxherët e ardhshëm. Organizimi i mbështetjes për projektet e ardhshme do të jetë transparent dhe efikas, duke përfshirë grantet e konceptuara për vitin 2025. Ky projekt vjen në kohën e duhur, në një moment kur jemi të përgatitur për të mbështetur artin dhe artistët në nivelin e duhur,” deklaroi ai.

  • foto galeri

Ambasadorja e Francës Catherine Suard mori pjesë gjithashtu në ceremoninë hapëse nga ku deklaroi se Vila 31 shënjon Tiranën në rrjetin e platformave europiane të artit bashkëkohor dhe krijimit artistik.

“Është një nder të jem pjesë e inaugurimit të këtij projekti. Vila 31 është më shumë se një hapësirë pune; ajo është një simbol i transformimit të Shqipërisë dhe inovacionit artistik pa kufij. Ky projekt është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit kulturor mes Francës dhe Shqipërisë, dhe do të luajë një rol qendror gjatë vitit 2025 kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Kulturës,” tha ajo.

 

Advertisement