Politike
Abuzimi me fondet e BE, GJKKO lë në burg ish-ministrin Ilir Beqaj
Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqajt për të zëvendësuar masën e sigurisë “arrest me burg”, në kuadër të hetimeve për dosjen SASPAC. Avokati i Beqajt kërkoi që të zëvendësohej masa e sigurisë, pasi nuk është marrë ende i pandehur nga Prokuroria e Posaçme dhe nuk ka rrezik që të largohet nga vendi, pasi ish-ministri është treguar bashkëpunues.
Nga ana tjetër, edhe Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e ish-ministrit Ilir Beqaj për masën e sigurisë “arrest në burg” në kuadër të hetimeve për dosjen SASPAC. Për dosjen SASPAC, në qelinë e paraburgimit ndodhet Ilir Beqaj, Kurtulaj dhe Nikolla ndërsa të tjerët kane masë me të butë sigurie. Ilir Beqaj u arrestua në datë 4 korrik të vitit 2024 me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve, për abuzimet me fondet e SASPAC.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur dyshime se ish-ministri Beqaj si drejtues i SASPAC, ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga agjencia për menaxhimin e fondeve të BE, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera. Përfitues i parave ka qenë vetë ish-ministri dhe bashkëpunëtorët e tij, por ende SPAK nuk e ka një shifër ekzakte. Por aktualisht, SPAK ka sekuestruar 14.3 mln lekë, 15 mijë e 500 euro dhe 42 mijë e 300$, që iu përkisnin shtetasve Ilir Beqaj, Gazment Haxhia, Ermal Kurtulaj, Bjona Zijaj, Bledar Leka dhe Elton Marini.