Connect with us

Kosova

Kurti i përgjigjet kritikave të Grenell: Kurrë më mirë nuk kemi qenë me SHBA-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për televizionin lokal “Istogu Chanel”, është pyetur për deklaratat e emisarit amerikan, Richard Grenell. Grenell në një reagim në “X” e ka cilësuar Kurtin si politikan jo të besueshëm dhe ka kërkuar të mos mashtrohen qytetarët e Kosovës kur Kurti pretendon se raportet me SHBA-në janë të mira.

Kurti gjatë intervistës u shpreh se analizë bëjnë analistët në studio dhe se ai ka qenë gjithë jetën aktivist dhe jo analist. Sipas tij Kosova po blen helikoptera dhe ka marrë grantin më të madh nga SHBA-ja gjatë qeverisjes së tij. Kurti shtoi se marrëdhëniet me SHBA-në s’kanë qenë kurrë më të mira dhe se kritika ka gjithmonë por duhet të ecin përpara.

“Ti e din shumë mirë, unë tan jetën kam qenë aktivist, po jo analist. Ata që bëjnë analiza janë nëpër studio televizive, që thonë a e pe qysh e kqyri… Kurrë ma mirë s’i kemi pasë. Po blejmë edhe helikoptera Black Haëk pas sistemit Javelin anti-tank, grantin më të madh nga SHBA e kemi marrë gjatë qeverisjes time. Kurrë ma mirë nuk u kanë. A ka naj herë kritika e vërejtje, po, po na duhet me ecë përpara”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se tashmë pas qeverisjes së tij, raporti Kosovë-SHBA ka avancuar dhe nuk është vetëm diplomatik, por edhe i sigurisë dhe i fushës së energjetikës.

I dërguari i SHBA-së për Misione të Posaçme ndërkombëtare, Richard Grenell në një postim në “X”, shkroi se administrata e Trump do të vijojë për paqe për të gjithë në Ballkan, por sipas tij për këtë iu duhen partnerë të besueshëm.

Ai theksoi se qeveria Kurti nuk ka qenë e besueshme as gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Biden, ndërsa thotë se është kritikuar vazhdimisht si nga demokratët dhe republikanët për për marrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin.  Ai shtoi më tej se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit dhe thotë se për shkak të tij në Kosovë kompanitë amerikane nuk po arrijnë të zgjerohen siç ndodh në Shqipëri dhe Serbi.

Advertisement