Kosova
BE-ja s’duhet ta vëzhgojë Kosovën me dylbi, thotë Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të ndjekë një rrugë më të vendosur persa i përket Serbisë, duke i treguar asaj pasqyrën, dhe jo të vazhdojë të vëzhgojë Kosovën me dylbi nga larg.
Rreth integrimit të Kosovës në bllokun evropian, kryeministri në detyrë i Kosovës është shprehur optimist se Kosova mund të bëhet pjesë e BE-së brenda 10 viteve të ardhshme, duke vlerësuar se ky proces duhet të jetë i bazuar në meritë dhe progres.
“Ne duam të anëtarësohemi në BE jo vetëm për të përfituar, por edhe për të kontribuar. Dhe besoj se jemi në rrugën e duhur. Në raportin e vendeve të BE-së për progresin e Kosovës thuhet se Kosova ka bërë progres në 36 nga 38 fusha. Ne duam që kjo të njihet më shumë dhe duam një proces të bazuar në performancë”, ka shtuar mes tjerash Kurti
Ndryshe, përgjatë katër viteve të fundit, zyrtarët evropianë kanë qenë në qendër të kritikave të autoritetet kosovare, kryesisht për shkak të qasjes së tyre në disa çështje të rëndësishme që lidhen me dialogun me Serbinë dhe perspektivën e saj evropiane.

