Connect with us

Politike

Rama vazhdon replikat me Berishën: Më paska denoncuar ‘këneta’ për…

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të bëra sot nga kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha. Berisha tha gjatë konferencës me gazetarët se nëse Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të hetojë krimin elektoral, duhej të arrestonte edhe Ramën për takimin me punonjësit e bashkisë ditën e djeshme. Kryedemokrati e akuzoi kryeministrin se organizoi një miting.

“Në qoftë se vërtet SKAP e ka ndërmend të hetojë krimin elektoral, Edi Ramës duhej t’i vinte prangat në shesh me mitingun elektoral që organizoi mbrëmë”, tha Berisha.

Rama tha se nëse takimi me punonjësit e bashkisë ka qenë një krim zgjedhor, do ta përsëris këtë sërish. Kryeministri shtoi se më 16 maj në Tiranë do të mikpresë 46 liderë të Evropës dhe do të zhvillojë sërish një takim tjetër me punonjësit e bashkisë.

Më paska denoncuar këneta për dy krime zgjedhore

E para paskam kryer krim me bonusin e pranverës për pensionistët, që është shpallur që vjet falë rritjes së fortë ekonomike dhe të ardhura që kanë kaluar parashikimet për 2024! Krime të tilla për pensionistët kam ndërmend të kryej akoma, madje edhe më të rënda se ky i marsit dua t’i bëj, këtë vit dhe në vitet në vijim, kështu që këneta të bëjë denoncimet e veta, ndërsa pensionistët e dinë vetë se ç’do t’i bëjnë kënetës më 11 maj

E dyta paskam kryer krim në Sheshin Skënderbej me mbledhjen e punës me punonjësit e bashkisë që sapo kishin dalë nga puna. Ky është një tjetër krim që kam ndërmend ta përsëris, sepse në 16 maj Tirana do të mikpresë 46 udhëheqës të kontinentit europian dhe 8 lider të organizatave të mëdha si BE e NATO, kështu që ata punonjës kanë shumë punë për të bërë. Natyrisht këneta ka bërë përsëri atë që bën qysh nga 1912 e asisoj edhe qëkur unë u shfaqa si djalli që ia mbylli rrugën e Tiranës e pastaj të Shqipërisë, bufit, zhabave, zhapikëve dhe zhgarravinave të saj, të cilët mua mund të vazhdojnë të më ndjekin nga pas, po Tiranën dhe Shqipërinë e kanë humbur përgjithmonë

Kua – kua – kua”, iu përgjigj Rama.

SPAK njoftoi dje se do të bashkëpunojë me Komision Zgjedhor dhe Prokurorinë e Përgjithshme dhe organizata të ndryshme që do të jenë në terren për të monitoruar procesin zgjedhor. Gjithashtu instuticioni, lajmëroi se do të ngrihet një platformë e dedikuar denoncimeve të qytetarëve për denoncimet për veprat penale gjatë zgjedhjeve. Sakaq, bëhet me dije se do të regjistrohen të dhënat e denoncimeve në mënyrë që të analizohen sa më shpejtë dhe në mënyrë efikase. Denoncimet do të jenë anonime.

Advertisement