Kosova
Vuçiç mbështet Trump/ Hidhërimi në palcë për krizën Europë-Amerikë

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka përshëndetur përpjekjet e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për përfundimin e luftës në mes të Ukrainës dhe Rusisë dhe në vlerësimin e tij, në këtë rast, diplomacia duhet të mbizotëroj mbi luftën.
“Serbia mbështet çdo përpjekje për të sjellë paqe dhe stabilitet në Evropë dhe në botë. Tani është koha për veprime të guximshme”, ka shkruar Vucic në platformën sociale, X.
Ai gjithashtu ka folur edhe për ngjarjen që ka ndodhur të premten në Shtëpinë e Bardhë në takimin Zelensky-Trump, për rreshtimin e evropianëve me Zelenskyn dhe për anulimin e takimit në mes të Sekretarit Amerikan, Marco Rubio, me kryediplomaten evropiane, Kaja Kallas që planifikohej të ndodhte në Washington.
Vuçic ka thënë se kjo është dëshmi që ndasia mes SHBA-së dhe Evropës po rritet dhe se Serbia do të shikojë se si do ta pozicionojë veten në rrethanat e reja.
Kreu i shtetit serb ka përmendur edhe Kosovën, duke thënë se disa në Serbi po gëzohen që tashmë s’do të ketë një presion të unifikuar SHBA-BE ndaj Serbisë për Kosovën, megjithatë ka shtuar se diçka e tillë s’është plotësisht e vërtetë.

