Aktualitet
Famullitari i Kishës Katolike në Shkodër: Politikanët shqiptarë, shtresa më injorante dhe më e ulët e popullit

Dom Vlash Palaj, famullitari i Kishës Katolike në Shkodër, ka kritikuar ashpër politikanët shqiptarë gjatë meshës së të dielës. Ai i cilësoi ato si një nga shtresat më të injorantë dhe të ulëta të shoqërisë. Palaj theksoi se dëshira për pushtet i ka ndryshuar ata dhe se korrupsioni, si një mëkat, po çon politikanët në burg njëri pas tjetrit. Më tej ai theksoi se nuk është problemi te ajo që mbledhin, por nxjerrin në pah varfërinë e shpirtit të tyre.
“Vëreni këta politikanët tanë. Me këtë situatë që është krijuar, nuk bëjnë gjë tjetër veçse tregojnë cfare jane, dhe më vjen keq për ta, sepse më duken shtresa më injorante dhe më e ulët e popullit shqiptar. Pse? Sepse iu jepet pak pushtet. Njerëzit e kanë këtë bujari, ua japin pak pushtet. Po ushtroje të mirën, por jo, ata mbledhin vetëm për vete.
Nuk është problemi te ajo që mbledhin, por nxjerrin në pah varfërinë e shpirtit të tyre. Atë mizerien e brendshme. Njerëz të cilët jetojnë vetëm për të pasur diçka dhe shpërfytyrojnë natyrën e tyre duke përfunduar në burg.
Si more, në burg ti? Të kemi votuar për të na bërë mirë. S’kemi problem, bëni mirë edhe për veten tuaj, por mos abuzoni deri në atë pikë sa të na merrni në qafë. Sa të na hiqni bukën e gojës, sidomos atij që lufton ashpër çdo ditë vetëm për bukën e përditshme.
Aty është e pafalshme. Mëkati të çon në vdekje, prandaj mëkati i korrupsionit të çon në burg. Të çon në burg! Thotë Krishti, herët a vonë, çdo gjë do të dalë në dritë. Kanë etje për pushtet të shkretët, prandaj devijojnë. Si nuk doli një të thotë: ‘Kam etje për të shërbyer’?” tha Dom Vlash Palaj.

