Kronike
Tentoi të fuste rreth 1.2 tonë naftë kontrabandë në Shqipëri, arrestohet 39-vjeçarin nga Kukësi

Një 39-vjeçar nga Kukësi është vënë në pranga, pasi tentoi të fuste rreth 1.2 tonë naftë kontrabandë në Shqipëri, nëpërmjet kufirit me Kosovën
“Shërbimet e Policisë Kufitare të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës, në vijim të monitorimit të kufirit jeshil me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kanë bërë të mundur goditjen e një rasti të tentativës për kontrabandë me hidrokarbure.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndaluar në rrugën rurale Pakisht-Kukës, automjetin tip furgon, me drejtues shtetasin V. S., 39 vjeç, banues në Kolesian, Kukës, ku pas kontrollit në brendësi të furgonit, Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 1.2 tonë naftë të futur kontrabandë nëpërmjet Pakishtit, jashtë pikave të kalimit kufitar dhe shërbimeve doganore, duke iu shmangur kontrollit kufitar dhe doganor”, njofton policia.
Sasia e karburantit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa drejtuesi i automjetit u arrestua për veprat penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

