Politike
Rama: Më 11 Maj fokusohuni te negociatat, jo partitë! Të japim një dorë së bashku për të shkruar historinë

“Nuk ka rëndësi se kur më mbaron mandati, por rëndësi që të mbyllen negociatat në 2027. Në 11 Maj të gjithë duhet të fokusohen te negociatat dhe jo të partitë. 1 mijë vetë që janë sot tani që flasim punojnë për negociatat. Janë 40 skuadra në të gjithë rrafshin e punëve të shtetit. Ata duhet të garantojnë që negociatat mbyllen në 2027 dhe ne duhet të bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë, si qeveri, parlament si institucionet e pavarura. Kur të mbyllen negociatat në 2027, më pas komisioni i dorëzon 27 vendeve raportin që Shqipëria mbylli negociatat dhe për ne është shtet i ri i BE. Dhe 27 parlamentet do të ngrenë dorën dhe pranojnë Shqipërinë. Flasim për historinë sot, apo sa bëjnë 7×7. Historinë më 11 Maj çdo shqiptar mund të japë një dorë që ta shkruajmë së bashku. PS është thjesht forca e duhur në vendin dhe në kohën e duhur.”, u shpreh kryeministri.

Një prej komentuesve i ankohej kryeministrit me komentin online se nuk kishte ujë, bukë, drita, ilaçe dhe se qeveria nuk kishte realizuar asnjë premtim.
Kreu i qeverisë iu përgjigj duke lexuar shifra për çdo ankesë dhe mohuar këto problematika. Rama tha se populli shqiptar nuk gabon, por “të jep ujë në bisht të lugës”.
“Nuk ke kuptuar asgjë, më vjen shumë keq për ty. Ky popull nuk gabon, të jep ujë në bisht të lugës, i merr të keqen çdo individ që e përflet dhe flet ashtu siç thua ti. S’kemi ujë, vërtetë? Nuk kemi pasur, ishin vetëm 4 zona urbane, s’ka pasur ujë 24 orë kurrë, asnjëherë kur e morëm ne pushtetin, sot 43 zona urbane me ujë 24 orë dhe 98 rurale, e 11 kantiere dhe do shkojnë në 54 zona urbane dhe pastaj mungojnë vetëm pak, shumë pak ku pjesa e banuar dhe populluar e Shqipërisë do ketë 24 orë ujë.
Nuk kemi drita? Unë them je gabim, gabim fare, mbase ke ikur atëhere kur rrugëve kishte gjeneratorë, kur s’ishim ne, humbje në ndonjë gropë rrugës dhe nuk ktheheshe natën në shtëpi. S’kemi ilace? Po shikoja shifrat pensionistë të rimbursuar me ilaçet. Mesatarisht i kemi 30% të lira ilaçet. Përsa i përket bukës aty ndahemi bashkë dhe s’kemi çfarë themi më”, u shpreh kryeministri.

