Aktualitet
Bankat vendosen nën hetim/ Autoriteti i Konkurrencës: Ka dyshime për abuzime me siguracionin për kredi

Autoriteti i Konkurencës ka nisur një hetim të thelluar ndaj bankave të nivelit të dytë. Kjo pasi ka dyshime për abuzim me shitjen e sigurimit të jetës për kredi. Hetimi i thelluar përfshin periudhën kohore nga nëntori i vitit 2021 deri në mars të vitit 2025.
Komisioni i Konkurrencës pasi përfundoi hetimin paraprak vlerësoi ekzistencën e të dhënave të mjaftueshme të cilat kërkojnë hetim të mëtejshëm. Autoriteti i Konkurencës ka konstatuar se sjellja e bankave shfaq mungesë konkurence pasi qytetarët që marin një kredi nuk janë të lirë të përzgjedhin shoqërinë për sigurimin e jetës për kredi, pasi u përcakohet nga vetë bankat. Pra, sipas Autoritetit të Konkurrencës, kanë shkelur nenin 4 dhe nenin 9 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, bëri të ditur Autoriteti i Konkurrencës në një njoftim për shtyp.
Neni 4 i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ndalon dy ose më shumë operatorë në të njëjtin treg që të bien në marrëveshje me njëri-tjetrin për të kufizuar konkurrencën, për shembull, përmes caktimit të çmimeve të njëjta, kufizimit të sasisë apo vendosin kritere të tjera kufizuese për konsumatorin.
Neni 9 i ligjit ndalon kompanitë të cilat vlerësohet se kanë fuqi dominuese në treg nga abuzimi me këtë fuqi dominuese.
Autoriteti i Konkurrencës vendos nën hetim të thelluar Bankat e Nivelit të Dytë
Autoriteti i Konkurrencës hap procedurën e hetimit të thelluar në tregun e ndërmjetësimit për sigurimin e jetës për kreditë të cilat kërkojnë sigurim jete për ndërmarrjet: OTP Bank Albania SHA, Banka Kombëtare Tregtare SHA, Credins Bank SHA, Banka Raiffeisen SHA, Banka e Tiranës SHA, Intesa SanPaolo Bank Albania SHA, Union Bank SHA, E-Business Solutions SHPK, Banka e Bashkuar e Shqipërisë SHA, Banka Amerikane e Investimeve SHA dhe Abi Broker Sigurimesh SHA dhe në tregun e kredidhënies me sigurim jete për kreditë që jepen brenda bankës Bankës së Parë të Investimeve SHA dhe Bankës Procredit SHA.
Komisioni i Konkurrencës në mbledhjen e tij, datë 26.03.2025, në vlerësim të të dhënave të marra gjatë fazës së hetimit paraprak në tregun e sigurimit të jetës për kredi, konkludoi se sjellja e ndërmarrjeve Banka Raiffeisen SHA, OTP Bank Albania SHA, Banka Kombëtare Tregtare SHA, Tirana Bank SHA, Intesa SanPaolo Bank Albania SHA, Union Bank SHA, E-Business Solutions SHPK, ABI Bank SHA, Abi Broker Sigurimesh SHA dhe Procredit Bank SHA mund të përbëjë shkelje të nenit 4 dhe nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003 ndërkohë që sjellja e ndërmarrjeve Tirana Bank SHA, Credins Bank SHA, Banka e Bashkuar e Shqipërisë SHA dhe Banka e Parë e Investimeve SHA mund të përbëjë shkelje të nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003. Për këto arsye, me vendimin nr. 1171, datë 26.03.2025, u vendos hapja e procedurës së hetimit të thelluar. Hetimi i thelluar përfshin periudhën kohore nga 07.11.2021 deri në 26.03.2025. Për më tepër, ju lutem konsultoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në http://caa.gov.al.

