Connect with us

Politike

Dita e fundit e fushatës/ Meta me AUDIO-mesazh nga qelia: Të zgjedhim ndryshimin

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shpërndarë sot (9 maj), në ditën e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, një audio-mesazh nga qelia e paraburgimit.

Ai fton për pjesëmarrje masive të qytetarëve në votime, me qëllim dhënien fund të shpopullimit të vendit dhe keqqeverisjes.

Një thirrje ai drejtoi edhe ndaj “socialistëve të ndershëm”.

“Sepse nuk ka asgjë socialiste të degjenerosh familjen dhe fjalët e shënjta nënë e babë t’i zëvendësosh me “Prindi 1 dhe Prindi 2” të “Rilindjes”, shprehet ai mes të tjerash në mesazhin e postuar edhe në llogarinë personale të rrjetit social Facebook.

Meta ngre shqetësimin e gjendjes ekonomike, të pensioneve, bizneseve, krimit, dhe rrogave të ulëta, duke premtuar zgjidhjen në 100 ditët e para, sipas programit të përbashkët me aleatët e PD-së.

Në fund ai bën një apel edhe për të gjithë anëtarët e PL-së që të shtojnë në këto orë të mbetura votuesit.

“Çdo anëtari dhe simpatizanti të Partisë së Lirisë në këto 48 orë të mbetura i kërkoj që të shtojë edhe një të afërm tjetër edhe një shok edhe një komshi edhe një të njohur për ta bërë pjesë të Ndryshimit historik të 11 Majit”, shprehet Meta.

Në fund kreu i PL kërkon ndaj qytetarëve që të votojnë për aleancën PD-ADSHM dhe emrin e tij në listë. Meta qëndron i paraburgosur në qeli që prej 21 tetorit 2024, kur u arrestua me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO, me tre akuza.

Video-mesazhi i kreut të PL, Ilir Meta:

“Të dashur qytetarë!

Ju ftoj për pjesëmarrje dhe vetëm pjesëmarrje, për t’i dhënë fund shpopullimit me votën tuaj më 11 Maj.

Pjesëmarrje dhe vetëm pjesëmarrje për t’i hapur rrugën Ndryshimit dhe Madhështimit të Shqipërisë tonë të shtrenjtë!

Jam i bindur se edhe socialistët atdhetarë dhe të përgjegjshëm do të jenë një forcë e rëndësishme ndëshkuese dhe ndryshuese për Shqipërinë më 11 Maj sepse nuk ka asgjë socialiste ta lësh shtetin në dorën e krimit dhe të heshtësh e të varfërosh intelektualët, pedagogët, akademikët, mësuesit, mjekët.

Sepse nuk ka asgjë socialiste të degjenerosh familjen dhe fjalët e shënjta nënë e babë t’i zëvendësosh me “Prindi 1 dhe Prindi 2” të “Rilindjes”.

Sepse nuk ka asgjë socialiste që 570 mijë pensionistë t’i braktisësh me pension 50-170 euro/muaj ndërsa qindra milion euro t’i grabisësh me inceneratorë që nuk ekzistojnë.

Dua t’i garantoj të gjithë socialistët e ndershëm se vota e tyre për Ilir Metaj në Qarkun e Tiranës dhe për kandidatët e Partisë së Lirisë në çdo Qark të Shqipërisë është garanci sublime për mbajtjen e premtimeve tona konkrete që 100 ditët e para të koalicionit tonë për çdo pensionist dhe student, për çdo përfitues të ndihmës ekonomike dhe qytetar shqiptar në nevojë.

Siç është garanci që brenda 4 viteve Shqipëria bëhet fuqi prodhuese dhe eksportuese.

Çdo anëtari dhe simpatizanti të Partisë së Lirisë në këto 48 orë të mbetura i kërkoj që të shtojë edhe një të afërm tjetër edhe një shok edhe një komshi edhe një të njohur për ta bërë pjesë të Ndryshimit historik të 11 Majit.

Të braktisim mashtrimin! Të braktisim ndryshkimin dhe shpopullimin! Të zgjedhim Ndryshimin, NR.1, që Shqipëria dhe shqiptarët të jenë gjithmonë TË PARËT!

VOTO NR.Koalicionin “PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore”! VOTO ILIR METAJ, QARKU TIRANË!”

Advertisement