Connect with us

Aktualitet

Shqipëria marrëveshje me Francën për modernizimin e Forcave Ajrore

Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Pirro Vengu priti të premten për një vizitë zyrtare në Tiranë homologun e tij francez Sébastien Lecornu, i cili bëhet ministri i parë i mbrojtjes nga Parisi zyrtar që viziton vendin tonë.

Takimi u zhvillua në garnizonin “Skënderbej” dhe u përmbyll me firmosjen e një marrëveshjeve teknike për modernizimin e Forcave të Armatosura.

“Nënshkruam një marrëveshje për modernizimin e forcës sonë ajrore, me blerjen e kapaciteteve të avancuara mobile të vëzhgimit ajror nga një kontraktor industrial francez, tregues i qartë i një investimi strategjik për nevojat kombëtare dhe në funksion të Aleancës”, u shpreh Vengu.

Në konferencën e përbashkët për media, zyrtari i lartë francez shprehu gatishmërinë e Francës për të qenë një aleat i fortë në këtë proces.

“Kjo marrëveshje ka të bëjë pikërisht me një prodhim francez, për të cilin jemi shumë krenar. Do të duam duke qenë se jetojmë në një kontekst të vërtetë që paraqet rreziqe dhe sfida, ne do të donim pikërisht që të kishim produkte të tilla, gjë që do të rrisë ndërveprueshmërinë, sistemet e interceptimit dhe dronët”, tha Lecornu.

Sipas tij, kjo kontratë kaq e rëndësishme nuk është nënshkruar ndonjëherë me një kompani franceze.

“Kjo është një shenjë e politikës strategjike që ne kemi ndërmend të kemi me ju”, ravijëzoi zyrtari i lartë francez.

Marrëveshja me MB-të

Qeveria shqiptare dhe ajo britanike nënshkruan një ditë më parë marrëveshjen për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e Mbrojtjes.

Firmosja u bë në prani të kryeministrit shqiptar Edi Rama, atij britanik Keir Starmer, ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu dhe përfaqësues të lartë të dy qeverive.

Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar, përmes kësaj marrëveshjeje “shprehin vullnetin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin në fushën e prodhimit të pajisjeve të mbrojtjes, investimeve dhe marrëdhënieve industriale”.

Kjo, me synim rritjen e sigurisë kombëtare dhe nxitjen e inovacionit teknologjik duke zhvilluar partneritete me prodhues britanikë për prodhimin e mjeteve ushtarake dhe kapaciteteve të tjera, përfshirë mbrojtjen ajrore tokësore dhe sistemet kundër dronëve.

Deklarata zyrtare sqaron po ashtu se përmes kësaj marrëveshjeje, “palët shprehin interesin për të eksploruar mundësitë për eksporte të përbashkëta të pajisjeve të mbrojtjes drejt vendeve të treta, me interes strategjik dhe krijuar baza për trajnime të përbashkëta”.

Shqipëria dhe MB-ja pritet të kenë edhe bashkëpunim ndërmjet forcave të armatosura të të dy vendeve.

Advertisement