Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka komentuar gjatë një takimi me të rinj, një nga momentet më të përfolura të Samitit të Tiranës: videon e realizuar me inteligjencë artificiale ku liderët e Europës ishin ‘kthyer’ në fëmijë dhe uronin mirëseardhjen në Shqipëri në gjuhët përkatëse.
“Shqipëria bëri diçka interesante në prezantim gjate samitit. Ajo solli në ekran krerët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve pjesëmarrëse përmes një realizimi me AI. Ishte shumë interesante dhe çdo kryetar shteti ose kryeministër i atij vendi iu prezantua ajo inteligjencë artificiale”, tha ai.
Presidenti Erdogan e cilësoi një risi domethënëse dhe shtoi se Turqia synon të ndjekë hapa të ngjashëm dhe të jetë konkurruese në zhvillimin e teknologjive të avancuara.
“Shpresojmë që të dalim me një infrastrukturë të tillë në një konkurs që do të mbahet në një të ardhme të afërt. Ne i besojmë vetes, ju besojmë juve dhe kështu, me vullnetin e Zotit, po ecim drejt së ardhmes me një infrastrukturë të fortë të inteligjencës artificiale”, u shpreh ai.
Videoja qe i referohet presidenti turk u krijua me anë të inteligjencës artificiale dhe u shfaq gjatë ceremonisë së hapjes së samitit të BE në Teatrin e Operas dhe Baletit me 16 maj.
Të gjithë liderët europianë u shfaqen në versionin e tyre fëmijë teksa uronin në gjuhën e tyre: “Mirë se erdhët në Shqipëri” Videoja surprizë shkaktoi të qeshura në sallë dhe u shoqërua me duartrokitje nga të pranishmit.